TIRANË, 29 maj/ATSH/ – “Impresionuese” i ka quajtur Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger rezultatet e arritura deri tani nga procesi i Vetting-ut.
Gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, Famir Xhafaj, Greminger dha vlerësimet më të larta për bashkëpunimin konstruktiv të Ministrisë së Brendshme me partnerët ndërkombëtarë në sfidat e përbashkëta. Ai u ndal tek rëndësia e filozofisë së parandalimit të kriminalitetit nëpërmjet gjithëpërfshirjes së shoqërisë.
“Jam i impresionuar nga përpjekjet dhe rezultatet e arritura deri tani, në fushën e Vetting-ut dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe qëndrojmë plotësisht të gatshëm për mbështetje të mëtejshme”, – u shpreh ai.
Ndërsa ministri Xhafaj, vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të OSBE-së dhe veçanërisht rolin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për mbështetjen e dhënë në reformën në drejtësi dhe në hartimin e Dokumentit të Politikave Prioritare në Fushën e Rendit dhe Sigurisë.
Ministri Xhafaj bëri një përmbledhje të prioriteteve dhe rezultateve konkrete të Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, Vetting-ut në Policinë e Shtetit, operacionin “Forca e Ligjit”, si dhe arritjet në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. /e.caushi/

































