Ballina Lajme nga Vendi

600 mijë euro investime për aparatura moderne në spitalin e Vlorës

TIRANË, 29 maj/ATSH/ – Spitali Rajonal i Vlorës është pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë, duke ofruar një standard të ri të shërbimit për pacientët, falë investimit prej 600 mijë euro.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimet në këtë spital, ku janë instaluar mamografia e re, grafia dixhitale, grafia e lëvizshme, aparati i ri i anestezisë në sallat e operacionit, inkubatorë të rinj në neonatologji e një sërë aparaturash moderne me vlerë 608 mijë euro.

“Pas Durrësit, Gjirokastrës, Dibrës, jemi sot në Vlorë për investimet e mëdha që qeveria po ndërmerr për fuqizimin e spitaleve rajonale, sepse ne kemi një plan konkret për të mundësuar që qytetarët ta marrin shërbimin me cilësi, afër vendbanimit të tyre”, – tha Manastirliu.

Spitali i Vlorës është nga përfituesit më të mëdhenj të programit kombëtar të investimit në spitalet rajonale në aparatura të reja bio-mjekësore.

“4.5 milionë euro po investojmë për të rritur cilësinë e shërbimit në spitalet rajonale për diagnostikimin dhe trajtimin më të mirë përmes aparaturave të teknologjisë së lartë”, – tha Manastirliu.

Përveç investimeve në spital, këtë vit rikonstruktohet plotësisht Poliklinika e qytetit të Vlorës, e cila do të pajiset gjithashtu me aparatura të reja, me rreth 112 milionë lekë investim, çka sipas ministres do t’i ndryshojë faqe poliklinikës në zemër të qytetit të Vlorës.

/z.tosku//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria mirëpret ekspertizën e OSBE-së për reformat
Artikulli tjetërPOLONI – Varshava e gatshme të paguajë dy miliardë dollarë për të rritur praninë ushtarake amerikane