PRISHTINË, 21 Maj/ATSH/.- Që nga 17 shkurti i këtij viti kur edhe Kosova shënoi 10 vjetorin e pavarësisë, Muzeu i Kosovës është vizituar nga mbi 7 mijë vizitorë, ku një numër i konsiderueshëm prej tyre janë turistë të huaj.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, në një intervistë për KosovaPress tha se “në përvjetorin e 10-të të pavarësisë kemi hapur ekspozitat bazë dhe nga dita e pavarësisë deri sot kemi më shumë se 7 mijë vizitorë, ku pjesa më e madhe është brezi i ri. Përveç vizitave muzeu tashmë është kthyer edhe në mikpritës i shumë aktiviteteve socialo-kulturore në vend”.
Sipas tij, një numër i madh i atyre që e vizitojnë këtë institucion të trashëgimisë kulturore në vend janë edhe turistët ndërkombëtarë.
“Një e treta e 7 mijë vizitorëve që kanë vizituar muzeun janë turistë të huaj, të cilët janë njohur me trashëgiminë kulturore të Kosovës”, theksoi Boshtrakaj.
Boshtrakaj kërkon nga institucionet e vendit që punonjësit e muzeut të kenë përkrahje më të madhe.
“Është një përkrahje në rritje, por jo e mjaftueshme. Muzeut të Kosovës i nevojitet më shumë pavarësi veprimi, i nevojitet një trajtim ndryshe e stafit të muzeut, sepse ende të gjithë punonjësit e muzeut trajtohen brenda kategorisë së shërbyesve civilë”, nënvizoi ai.
Sipas tij, çdo investim në trashëgiminë kulturore do t’i kthehet vendit përmes përmirësimit të imazhit dhe investimeve që bëhen në gjeneratat e reja.
Për të gjithë dashamirësit e artit, Boshtrakaj shpalosi disa nga aktivitetet që po zhvillohen dhe do të organizohen gjatë këtij viti në Muzeun e Kosovës.
“Në Muzeun e Kosovës kemi të hapur ekspozitën “Muzeu i Zemrave të Thyera”, një projekt i bukur pak i dhimbshëm, por shumë i veçantë. Kemi projektin “Qytetet e Paqes” që është projekt dy mujor, rezidencë arti, e cila është zhvilluar në 10 vende të botës, ne jemi qyteti i 11-të dhe më datën 24 maj do të hapim një ekspozitë për ditën e Presidentit, e cila do të prezantojë përmes eksponateve dhe materialeve që i posedon Muzeu i Kosovës një pjesë të rëndësishme të periudhës të viteve ’90-të dhe figurës së Presidentit Rugova”, u shpreh drejtori i Muzeut të Kosovës.
Muzeu i Kosovës i themeluar në vitin 1949, ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.
Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavionit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, etno-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj, që tregon dhe ndriçon historinë e Kosovës në periudha të ndryshme, nga periudha e Neolitit, 6 mijë vjet para erës së re, deri në ditët e sotme.
/KosovaPress/k.s/























