Ndotja e mjedisit, penalizohen 30 subjekte ndërtuese

TIRANË, 21 Maj/ATSH/.- Për të gjitha subjektet ndërtimore, që hedhin mbetjet inerte në venddepozitime të palicensuara do të këtë masa të ashpra deri në heqjen e lejes së ndërtimit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili së bashku me nënkryetarin e Bashkisë, Arbian Mazniku inspektuan një nga hotspotet e krijuara në Mëzez nga depozitimi prej vitesh në mënyrë të paligjshme i mbetjeve inerte.

“Deri tani 30 subjekte ndërtuese janë penalizuar nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit për hedhje të mbetjeve inerte jashtë venddepozitimeve të licensuara”, theksoi Klosi.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se trajtimi i natyrës si një mall pa zot është krejtësisht i papranueshëm dhe se forca e ligjit do të jetë e ashpër për këdo subjekt që merret me gjenerimin, transportin dhe depozitimin e mbetjeve inerte.

”Sot në Tiranë kjo punë nuk mund të zgjidhet vetëm me Inspektoratin e Mjedisit apo vetëm me inspektorët e bashkisë. Ne duam shumë policinë e rendit të jetë në krye të kësaj detyre, por më shumë se kaq duam qytetarët të cilët nuk do të duhet të lejojnë që biznese të papërgjegjshme qofshin të mëdha apo të vogla,me emër të madh apo edhe të panjohura të bëjnë këtë veprimtari kriminale”, tha Klosi.

Ministri Klosi i kërkoi çdo qytetari të ndershëm të këtij vendi, të gjithë Shqipërisë, që kur shikojnë fakte të tilla të njoftojnë organet ligjzbatuese, pasi forca e ligjit do të jetë e pamëshirshme me të gjithë ata të cilët bëjnë këtë krim mjedisor.

Nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku, tha se “problematikat e hedhjes së dherave nga punimet, ose inerteve të tjera në vende të ndryshme të qytetit, është një problematikë e vjetër e të gjithë qytetit të Tiranës, duke e kthyer pak a shumë këtë situatë, në një problem endemik të mjedisit të qytetit tonë”.

“Ky është një problem, i cili tashmë nëpërmjet Planit Urbanistik të qytetit, të miratuar 1 vit më parë, por edhe një sërë rregullimesh të tjera që janë bërë, është një çështje e sistemuar dhe tashmë duhet vetëm që aktorët e caktuar, të cilët duan ta kryejnë këtë lloj aktiviteti, apo i duhet ta kryejnë këtë lloj aktiviteti, të ndjekin rregullat dhe procedurat e duhura dhe të mos i hedhin mbetjet si mall pa zot në natyrë. Natyra është e të gjithëve ne, nuk është një çështje të cilën dikush mund ta ndërrojë, ta prishë apo t’i marrë dhe t’i hedhë dherat kudo që gjykon”, theksoi Mazniku

Mazniku u shpreh se “kjo është një çështje që nuk do të tolerohet më, në bashkëpunim të ngushtë siç tha edhe ministri, me gjithë institucionet qendrore dhe lokale, në mënyrë që ta ruajmë mjedisin ashtu siç është dhe të kemi mundësi t’u trashëgojmë fëmjëve tanë, në gjendjen që e kemi gjetur”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.