SEUL, 15 maj /ATSH-AFP/ – Imazhet e fundit satelitore të bëjnë të mendosh se Pheniani ka filluar çmontimin e qendrës së vetme të provave bërthamore, para një samiti historik mes drejtuesit koreano-verior, Kim Jong Un dhe presidentit amerikan, Donald Trump, sipas qendrës së specializuar amerikane 38North.
Pheniani njoftoi këtë fundjavë se do të shkatërronte plotësisht qendrën e Punggyerit, në verilindje të vendit, gjatë një ceremonie të parashikuar më 23 dhe 25 maj, para medias ndërkombëtare.
Në këtë qendër Koreja e Veriut ka kryer gjashtë prova bërthamore. E fundit, më e fuqishmja, u zhvillua në shtator. Muajin e kaluar, Kim Jong Un theksoi se forca bërthamore koreano-veriore kishte përfunduar dhe se vendi i tij nuk kishte më nevojë për qendrën.
”Imazhet satelitore, që datojnë më 7 maj, tregojnë provat e para të pakontestueshme se çmontimi i qendrës që provave bërthamore kishte avancuar”, shkruan sot 38 North.
Disa ndërtesa operacionale të rëndësishme si dhe ndërtesa të vogla rreth qendrës janë shembur.
Imazhet tregojnë gjithashtu punimet përgatitore për ceremoninë e çmontimit, me një platformë të vendosur mes mbetjeve, për të pritur gazetarët e ftuar./ /ec/ a.jor.























