TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Komedia “Shirli Valentina” rikthehet në Teatrin Kombëtar. Teatri Kombëtar bën të ditur për artdashësit se kjo është mundësia e fundit për ta parë komedinë në skenën e tij.
“Nëse ende nuk e keni parë, ose doni ta rishihni sërish këtë komedi brilante me aktoren Olta Daku dhe me regji nga Driada Dervishi kjo është mundësia juaj e fundit më 17, 18, 19 dhe 20 maj!”, bën me dije Teatri.
Kjo shfaqje, vjen nga një aktore që mishëron si humorin, ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin, ashtu dhe kurajon, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë: e mrekullueshmja Olta Daku, e cila, përmes Shirlit, na fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat.
Pra ”Shirli Valentina” na tregon udhëtimin e jashtëzakonshëm të një gruaje të zakonshme.
Kjo është një nga veprat më të sukseshme të autorit anglez Willy Russell, e cila qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze. E vënë në mbi 30 vende në mbarë botën, kjo vepër vjen për herë të parë në Shqipëri. Fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit 1988, “Shirli Valentina” është konceptuar në formën e një ‘one woman show’.
Kjo komedi klasike dhe moderne, do ta bëjë publikun të buzëqeshë gjatë, edhe pasi shfaqja të ketë mbaruar./a.a/ /a.g/






















