8 muaj në pritje për pasaportë, emigranti gjen zgjidhje pas ankesës në ‘shqiperiaqeduam.al’

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155809574451523/

TIRANË, 15 maj/ATSH-Maela Marini/ – Platforma “shqiperiaqeduam.al” po i shërben edhe bashkëkombësave tanë përtej kufijve, duke zgjidhur në shumë raste shqetësimet e tyre.

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme, Luela Hajdaraga, në një intervistë për ERTV-në, sjell shembullin e një qytetari që kishte aplikuar në Konsullatën e Përgjithshme në Milano për pajisjen me pasaportë dhe kartë identiteti, por që kishte ngelur në pritje prej 8 muajsh.

Një ankesë e tij në platformë, sipas saj, mobilizoi Ministrinë e Jashtme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Konsullatën tonë në Milano dhe falë bashkëpunimit efikas midis tre institucioneve, qytetari arriti të marrë këtë shërbim.

“Kemi rastin e një qytetari i cili ka aplikuar në Konsullatën e Përgjithshme në Milano për t’u pajisur me pasaportë dhe kartë identiteti para 8 muajsh pra në Tetor të vitit 2017, dhe që nga ajo datë qytetari nuk kishte marrë ende një përgjigje. Kjo për shkak të moskoordinimit mes palëve ku përfshihen ministria e punëve të jashtme, drejtoria e përgjithshme e policisë dhe konsullata e përgjthshme në Milano. Pas aplikimit dhe futjes së rastit në platformën e bashkëqeverisjes u bë koordinimi midis këtyre 3 palëve i cili rezultoi i suksesshëm dhe sot qytetari ka nisur aplikimin e tij për pasaportë dhe është në procesin e rregullt të marrjes dhe të pajisjes së tij me këtë dokument”, shpjegoi ajo.

Duke theksuar rëndësinë që merr zgjidhja edhe e një ankese të tillë, në dukje proceduriale, Hajdaraga tha se “mungesa e pasaportës së tij ka sjellë mjaft probleme në këtë rast, pasi nuk mund të bënte asnjë lëvizje jashtë shtetit ku ai jetonte”.

“Aktualisht në MEPJ kemi 105 çështje ose raste të adresuara, nga të cilat 95% kanë marrë zgjidhje. Kryesisht ato janë adresuar në Drejtorinë e Çështjeve Konsullore që zë 70% të rasteve të adresuara, duke vazhduar me Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, Drejtorinë e Rajonit dhe Vendeve Fqinje dhe Drejtorinë e Diplomacisë Publike”, – tha Hajdaraga.

Ankesat e ardhura në MEPJ, sipas saj, janë nga Greqia, Italia, Anglia dhe Spanja, ku janë të përqendruar edhe shqiptarët jashtë vendit.

Në 70% të ankesave, tha Hajdaraga, këto çështje i drejtohen MEPJ-së dhe në 30% të tyre përfaqësive tona jashtë vendit.

Hajdaraga informoi se “kryesisht ato lidhen me asistencën për shtetasit shqiptarë të humbur, të ndaluar apo burgosur në një shtet të huaj, apo aplikime për pasaportë apo legalizim e përkthim dokumentacioni”.

Çdo shtetas me banim jashtë vendit, sipas Hajdaragës, mund të regjistrohet në platformë përmes një aplikimi mjaft të thjesht me të dhënat e kartës së tyre të identitetit dhe vetëm në 10 ditë ata do të marrin zgjidhje.

“Ne i ftojmë të gjithë qytetarët kudo që janë të bëjnë regjistrimin në platformë nëpërmjet një aplikimi mjaft të thjeshtë vetëm me të dhënat e tyre të kartës së identitetit dhe për vetëm 10 ditë çështja e tyre do të adresohet dhe do të marrë zgjidhje”, tha Hajdaraga.

Më tej, ajo theksoi se në platformën e bashkëqeverisjes nuk vijnë vetëm çështje që kanë të bëjnë me ankesa individuale por edhe çështje të cilat i referohen veprimtarisë diplomatike të ministrisë.

“Dua të sjell në vëmendjen tuaj rastin e ardhur para dy muajsh nga një grup studentësh të ekselencës si nga brenda dhe jashtë vendit të cilët iu drejtuan platformës nëpërmjet rubrikës Interpelanca ime për të kërkuar një takim me ministrin e Jashtëm z. Ditmir Bushati dhe për t’u informuar mbi procesin e dialogut me Greqinë. Në këtë takim u shkëmbyen pyetje dhe përgjigje nga palët lidhur me këtë çështje”, tha ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.