BULLGARI – Zaharieva: Perspektiva e Ballkanit Perëndimor në BE e pakthyeshme

SOFJE, 15 maj /ATSH-ANSA/ – Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor është jo vetëm një prioritet i presidencës bullgare të radhës të Bashkimit Europian, por gjithashtu angazhimi ynë afatgjatë përsa i përket politikës sonë të jashtme, deklaroi sot ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva

“Besoj se do t’ia dalim nëse e bëjmë këtë proces të pakthyeshëm”, nënvizoi Zaharieva në një konferencë ndërkombëtare për kohezionin ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor, organizuar sot në Sofje nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (CESE) dhe nga programi i asistencës teknike dhe shkëmbimeve të informacionit nga Komisioni Europian (TAIEX).

Në axhendën e presidencës bullgare të BE-së, një samit i Bashkimit Europian kushtuar Ballkanit Perëndimor është parashikuar në Sofje më 17 maj.

“Është e rëndësishme që qeveritë dhe institucionet e Bashkimit Europian të japin maksimumin për të mbështetur këto vende, jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit dhe Europës në tërësi, por sepse ata kanë zgjedhur të jenë pjesë e BE-së”, theksoi Zaharieva.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë folur jo vetëm për perspektivën europiane, por gjithashtu për lidhjet në fushën e transporteve dhe energjisë si dhe për nevojën e reformave në interes dhe në mbrojtje të qytetarëve./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.