Ballina Aktualitet

Opozita frikë nga Vetting-u, kërkon të nxijë situatën në prag të çeljes së negociatave

TIRANË, 11 maj /ATSH- I. Vata/ – “Reformën në drejtësi dhe kontributin e Fatmir Xhafës nuk mund ta baltosë asnjëri dhe zbatimin e saj nuk mund pengojnë. Reforma në drejtësi do t’u ofrojë qytetarëve drejtësinë e munguar”, – ka deklaruar sot nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi.

Hysi i përgjigjet akuzave të Partisë Demokratike në lidhje pretendimin se Fatmir Xhafaj ka ndryshuar nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale për të mbrojtur vëllain e tij të dënuar në mungesë nga drejtësia italiane.

“Ndihem e keqardhur që opozita sajon histori të pavërteta.E ndodhur pa ndonjë kauzë dhe në vijim të misionit të saj të nxijë situatën në prag të vendimit të hapjes së negociatave dhe e frikësuar nga ecuria e procesit të Vetingu-t krijon një zhurma me shtrembërim të fakteve”, – shprehet Hysi.

Në vijim, Hysi argumenton se “projektligji është produkt i punës së ekspertëve të komisionit të reformës në drejtësi. Me mbylljen e komisionit, projektligjet u depozituan në Kuvend me firmën e deputetëve. Projektligji për Kodin e Procedurës penale u depozitua nga ana ime për tu shqyrtuar në komisionin e ligjeve. Projektligji iu nënshtrua konsultimit publik me punonjës të praktikës dhe ekspertë të fushës. Kjo është praktikë për çdo projektligj. Sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, të pranuara u reflektuan në çdo nen për të cilin kishte sugjerime”.

Duke vijuar Hysi sqaron se “është procedurë normale që një projekt ligj të diskutohet dhe nene të veçanta të amendohen.Drafti i diskutuar në komision reflekton projektin e propozuar së bashku me të gjitha komentet dhe sugjerimet e reflektuara. Neni që është kazusi i radhës i opozitës është reflektim i konventës se ekstradimit, protokolli shtesë.Kur një projektligj pëson shumë ndryshime, miratohet si variant integral. Në komision është votuar varianti që është në fuqi”.

Po ashty Hysi shton se “ky variant i miratuar është dërguar me e-mail anëtarëve të komisionit, Ministrisë së Drejtësisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit në komision dhe pas miratimit të tij, para kalimit në seancë, Euralusit, OPDAT, Prokurorisë së Përgjithshme, deputetëve LSI. PD ishte në çadër. Ky projektligji është bërë publik në faqen e Kuvendit para votimit në seancë plenare. Raporti ka pjesë integrale të tij gjithë projektligjin e votuar që i është përcjellë seancës plenare”.

“Opozita ka pasur gjithë mundësitë dhe kohën e mjaftueshme të studionte projektligjin dhe gjithë sugjerimet e ardhura, të merrte pjesë në diskutimin e konsultimit publik dhe në komision, ta lexonte projektligjin e ndryshuar para se të miratohej në komision dhe të kalonte në seancë plenare. Madje nëse, opozita nuk donte përafrimin e projektligjit me konventën europiane të ekstradimit, protokolli 4, neni 3, mund ta bënte amendament 24 orë para seance”, – shprehet Hysi.

Dhe e fundit, Hysi shton se “… pse opozita nuk e ngriti këtë problem gjatë 1 vit e më shumë, por pikërisht tani kur reforma ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ish-kolegu Tahiri nuk i dha shansin opozitës të vazhdojë ta ketë si kauzë të saj? Që kolegu Xhafaj do ishte objekt sulmi, nuk kishte asnjë mëdyshje. Reforma në drejtësi ka tronditur shumë themele të mureve të shtrembër dhe ka cenuar shumë interesa dhe persona që janë të lidhur me interesa të paligjshme”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSekuestrohen 2 mina me telekomandë, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre
Artikulli tjetërSHBA – Uashingtoni: Inspektimet në centralet bërthamore iraniane duhet të vazhdojnë