BERLIN, 10 maj /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane i cilësoi sot si një provokim të rëndë sulmet iraniane në pjesën e Golanit nën kontrollin izraelit duke theksuar se ”Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet”.
“Këto sulme janë një provokim i rëndë që ne e dënojmë ashpër”, theksoi në një komunikatë Ministria gjermane e Punëve të Jashtme.
“Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që t’i kthehemi një çtensionimi të situatës”, shtoi ajo.
“Kjo nënkupton që ne duhet të bëjmë gjithçka për të gjetur një zgjidhje politike afatgjatë për konfliktin në Siri”, nënvizoi ministria.
Pas disa javësh tensione, linjat e para ushtarake në pjesën e Golanit të pushtuar nga Izraeli u goditën nga 20 raketa, lëshuar sipas ushtrisë izraelite nga forcat iraniane nga krahu tjetër i linjës së demarkacionit në Siri.
Ushtria izraelite goditi, si kundërpërgjigje, dhjetëra objektiva ushtarakë iranianë në Siri.
Sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, ushtria izraelite ka goditur pothuajse të gjithë infrastrukturën iraniane në Siri./ /ec/ a.jor.













