Ballina Kosova

Kosovë- Hapet panairi ndërkombëtar “Expokos”, marrin pjesë 50 kompani

PRISHTINË, 8 Maj/ATSH/.- Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë(MTI), është e përkushtuar për krijimin e lehtësirave për biznese, duke hequr barrierat tarifore dhe jo tarifore.

Kështu ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, me rastin e hapjes së panairit ndërkombëtar “Expokos” për energjetikë, ndërtim, patundshmëri dhe teknikë në Prishtinë, i cili do të zgjasë tri ditë.

“Jemi duke punuar shumë për mbështetjen e prodhuesve dhe kemi prioritet zhvillimin e vendit. Heqja e akcizës për lëndën e parë, është një përkrahje e madhe për bizneset. Në raportin e Bankës Botërore vlerësohet se Kosova ka bërë një progres të madh për të bërit biznes. Po shpresojmë se edhe në këtë vit do të kemi progres. Këto panaire ndihmojnë për krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet prodhuesve dhe blerësve, si dhe shkëmbimin e përvojave”,  theksoi Hasani.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, tha se “pa ekonomi shteti nuk mund të ekzistojë. Kosova ka krijuar ligje të mira dhe po krijon ambient të favorshëm për investime”.

Drejtori i Odës Ekonomike Britanike, Bekim Kastrati, tha se “Kosova ka potencial të madh dhe për këtë ka ftuar kompani britanike që të investojnë në vend”.

Bekim Xhafa nga organizata e panaireve CEO, u shpreh se “në edicionin e 17-të të panairit, këtë vit për herë të parë ka përkrahjen britanike”.

Në panair po marrin pjesë rreth 50 kompani vendore dhe ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i organizimit të përvitshëm të këtij panairi është gjetja e partnerëve të biznesit dhe klientëve të rinj, si nga kompanitë vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Panairi do të mbahet deri më 10 maj./KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Burkina Faso ka vetëm një… shofere taksie!
Artikulli tjetërRUMANI – Iohannis kërkon sërish dorëheqjen e qeverisë