Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në BE

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Shqipëria ndodhet në rrugën drejt anëtarësimit në BE, thotë në një intervistë për parliamentmagazine.eu kryeministri shqiptar, Edi Rama.

”Në qershor Këshilli nuk do të votojë për zgjerimin; ai do të votojë për vazhdimin dhe thellimin e procesit fondamental të reformave në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky proces ka sjellë stabilitet më të madh, më shumë siguri ekonomike dhe përmirësim të marrëdhënieve mes vendeve tona”, thotë kryeministri Rama.

”Procesi i integrimit në BE, me të gjitha etapat dhe kërkesat e përpikta, mund të jetë evolucionar, por ai po gjeneron rezultate revolucionare. Ta ngadalësosh apo ta ndalosh, tani që vendi ka marrë rekomandim të qartë si kristali për hapjen e negociatave të anëtarësimit, do të ishte e dëmshme dhe e pamundur t’ua shpjegosh qytetarëve tanë, të cilët kanë përkrahur edhe reforma të dhimbshme pasi ata e mbështesin idealin e një Shqipërie europiane” shton ai.

”Në fakt, ne të gjithë së bashku po punojmë shumë, në komunikim, në tregti, në dixhitalizim, në promovimin e turizmit, në policim e tjerë. Kjo nuk tërheq kryetituj, natyrisht. Media ndërkombëtare me shumë lehtësi rrëshket drejt historive të vjetra rreth konflikteve kulturore kur realiteti, në bazë, është shumë i ndryshëm. Pyet çdo 20-vjeçar në Bratislavë, Shkup apo Tiranë për identitetin e tyre kulturor. Ata e kanë jetuar pjesën e tyre me të madhe të jetës si europianë, me pritshmërinë se, një ditë, vendi i tyre do të jetë anëtar i BE-së”, vazhdon Rama.

Pyetjes së parliamentmagazine.eu se si i konsideronte Rama deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron për politikën e zgjerimit të BE-së, kryeministri i përgjigjet se ”presidenti Macron ishte korrekt”.

”BE ka nevojë të reformohet. Për më tepër, nëse reformohet BE, edhe ne në Ballkanin Perëndimor duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Këto procese duhet të zhvillohen së bashku. Më lejoni t’ju jap një shembull. Si në shumë vende postkomuniste, edhe ne në Shqipëri kemi patur një problem të madh me gjyqësorin e korruptuar. Zyrtarët e BE-së na thanë ta zgjidhim. Kështu, së bashku me Brukselin, me ndihmën nga Uashingtoni, ne dolëm me formulën për të forcuar shtetin e së drejtës dhe institucionet gjyqësore… Tani, ka rekomandime që modeli shqiptar të adoptohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shton Rama lidhur me pyetjen e sipërcituar.

Ndërsa pyetjes se çfarë e shtyu Komisionin Europian të ndryshojë opinion dhe të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë, Rama i përgjigjet se ”kjo erdhi falë programit të reformës në drejtësi, megjithatë është bërë më shumë se kaq. Ndërsa vetëm dy vite më parë gjendeshim përballë një sfidë të madhe për shkak të dy dekadave të kultivimit të kanabisit, sot kemi shkatërruar pothuajse të tërë këtë industri të jashtëligjshme”.

”Korrupsioni në Shqipëri përbën ende një problem, por Komisioni e ka gjykuar qartazi Shqipërinë jo si një vend anëtar, por mbi bazën e përpjekjeve që qeveria po bën për t’i dhënë zgjidhje këtij fenomeni. Negociatat e anëtarësimit do të thellojnë më tej reformat dhe rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit. Nuk është një problem i cili mund të zgjidhet brenda natës, megjithatë për vite me radhë kemi dhënë shembullin se t’i vjedhësh shtetit do të thotë t’i vjedhësh vetes, dhe nëse dëshirojmë të anëtarësohemi në klubin europian, duhet të miratojmë një grup të ri rregullash sjelljeje mbi fondet publike”, thekson Rama.

”Ne kemi krijuar një platformë inovative online, që u mundëson qytetarëve një linjë direkte komunikimi me ministrat e qeverisë. Për të zgjidhur së bashku çdo shkelje të funksionarëve publikë. Platforma promovon aksesin tek informacioni, transparenca, llogaridhënia dhe beteja kundër korrupsionit në nivel qeveritar dhe institucional. Rreth 81 funksionarë publikë janë shkarkuar dhe shumë prej tyrë janë ndëshkuar apo janë dërguar për ndjekje penale pasi nuk i kanë ofruar shërbimet publike në kohë apo kanë kërkuar ryshfet. Kjo falë ankesave të qytetarëve në platformën online”, përfundon kryeministri Rama në intervistën për parliamentmagazine.eu./ /sm/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.