Ballina Aktualitet

Nga transformimi i lumit të Tiranës, te ndërtimi i unazës së 5-të, Veliaj: Nuk keni parë gjë akoma

TIRANË, 6 maj/ATSH/- Në prezantimin sot të projektit për rehabilitimin e lumit të Tiranës, ku do të hapet edhe segmenti i dytë në Bulevardin e Ri të Tiranës, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ndal te transformimet që ka pësuar kjo zonë falë investimeve.

“Lajmi më i mirë është për njësinë 4.8.9 që e prisnin shiun me dorë ne zëmër, pasi përmbyteshin. Ky është një problem si ‘përrallë nga e kaluara’. Nuk duhet të shqetësohemi më për lumin e Tiranës. Ai nuk është më vetëm një projekt rehabilitimi pasi sot kemi mbjellë vetëm 4 mijë pemë, 20 mijë shkurre dhe 8.5 km shtigje. Por ju them se, nuk keni parë gjë akoma se si do të transformohet lumi i Tiranës”, – deklaroi Veliaj.

Ai tha se Bulevardi është projektuar më shumë për qytetarët dhe një korsi për autobusët. “Tirana është e distinuar që të vazhdojë të rritet. Sot INSTAT na tregon se Tirana vazhdon të rritet me ritmet 25 mijë deri në 30 mijë persona çdo vit. Do të thotë 7 deri në 8 mijë apartamente çdo vit. Më në fund kemi një valvul shkarkimi. Ka rreth 4 ambasada që mendojnë të transferohen në këtë lagje. Në fund të verës do të hapim rrugën ‘Siri Kodra’. Bashkia e Tiranës do të zhvendoset në Bulevardin e Ri, duke dhënë vet shembullin për të lehtësuar sadopak”, – tha kryebashkiaku.

Ai tha se plani i qeverisë Rama është që të vazhdojë me unazën e 5-të e cila do ta bënte më të thjeshtë hyrjen e daljen nga Tirana nëpërmjet këtij Bulevardi, por edhe lidhjen me rrugën e Rinasit dhe të Aeroportit.

Gjithashtu, deklaroi Veliaj do të ndërtohet edhe parku i ri qendror ku Bulevardi do të përfundojë me një shesh ceremonial, ku bashkë me parqet lineare do të jetë hapësira më e madhe rekrative brenda Tiranës, e ngjashme në përmasa me parkun e Liqenit të Tiranë ose me atë të Farkës dhe shumë herë më e madhe se sa parku “Rinia”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVitamina D, zbuloni vetitë e saj
Artikulli tjetërKullat, shprehjet më kuptimplota e cilësore të zhvillimit të kryeqytetit të së ardhmes