PRISHTINË, 30 prill/ATSH/.- Në Kosovë në tre mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 2556 biznese të reja, ku krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2017 ka një rritje prej 33.1%.
Agjencia e Statistikave të Kosovës bën të ditur se aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me 722 biznese të regjistruara 28.2%; prodhimi me 316 biznese të regjistruara 12.4%; ndërtimi me 266 biznese të regjistruara 10.4%; akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 247 biznese të regjistruara 9.7%; aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 204 biznese të regjistruara 8.0%; ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.
Sipas ASK-së, kjo shifër krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka një rënie prej 10.3%.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të bizneseve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 705 biznese të regjistruara (27.6%); Ferizaj me 224 biznese të regjistruara (8.8%); Prizreni me 208 biznese të regjistruara (8.1%); Peja me 147 biznese të regjistruara (5.8%); Gjilani me 144 biznese të regjistruara (5.6%); dhe Gjakova me 113 biznese të regjistruara (4.4%)”, bën të ditur ASK-ja.
Komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor./KosovaPress/k.s/























