UASHINGTON, 28 prill /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se ajo dhe presidenti amerikan, Donald Trump patën vetëm një shkëmbim idesh për tarifat, që ky i fundit vendosi muajin e kaluar për çelikun dhe aluminin, ndërkohë që refuzoi të thoshte nëse besonte se presidenti amerikan do të bënte një përjashtim për kompanitë europiane.
Trump dhe Merkel folën për një numër çështjesh, përfshirë tarifat dhe pabarazinë tregtare mes SHBA-së dhe Europës gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë që zgjati rreth tri orë.
Kancelares gjermane, e cila në takimin e parë me Trump u prit ftohtë, këtë herë iu rezervua një pritje shumë e ngrohtë, i cili e priti duke e puthur në të dyja faqet dhe e përgëzoi për rizgjedhjen në postin e kancelares.
Por, takimi u mbyll pa rezultate për çështjen e tarifave, që ka ngritur dyshimet për një luftë tregtare.
“Vendimi i përket presidentit”, tha Merkel.
Trump nuk bëri të ditur vendimin që do të merret të martën e ardhshme, vetëm u kufizua të thoshte se SHBA dhe BE duhet të kenë marrëdhënie reciproke tregtare.
“Nuk ka arsye të kemi një deficit tregtar prej 151 miliardë dollarësh. Ne duam të kemi marrëdhënie reciproke tregtare, ku të fitojnë të dyja palët”, theksoi ai.
”Ka potencial të jashtëzakonshme tregtare mes SHBA dhe BE”, shtoi Trump.
Ndërkohë, burime qeveritare në Berlin thanë në prag të kësaj vizite se ishin shumë pesimistë për një zgjidhje që ka lidhje me shtyrjen e përjashtimit nga tarifat.
Trump dhe Merkel folën edhe për marrëveshjen bërthamore me Iranin, për reformën amerikane të taksave, për investimet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve./ a.jor.






















