TIRANË, 25 prill/ATSH/-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po bashkëpunon me sektorin privat për forcimin e marrëdhënieve, me qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore por edhe kosto efektive për qytetarët.
Përmes një tryeze sektoriale për Shëndetësisë, të iniciuar nga Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato, me synim bashkëbisedimin me grupet e interesit që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor. Sakaq, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sektori publik dhe jo publik janë komplementarë.
Përfaqësuesit e biznesit theksuan nevojën për përmirësimin e legjislacionit aktual, për krijimin e data bazave mjekësore të përbashkëta dhe unike, hartimin dhe unifikimin e protokolleve mjekësore në sektorin publik dhe privat dhe mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit me strukturat shtetërore.
Ministrja Manastirliu theksoi se sistemet shëndetësore përballen me sfida të mëdha siç janë ulja e pabarazive, zhvillimi i infrastrukturës dhe teknologjisë moderne shëndetësore, etj.
“Për ne sektori publik dhe jo publik janë komplementarë. Qeveria është e orientuar drejt bashkëpunimit me synim ofrimin e shërbimeve cilësore por edhe kosto-efektive. Ndaj, kjo tryezë dhe të tjera që do të vijojnë në grupe teknike, i shërbejnë krijimit të një sinergjie mes sektorit publik dhe jopublik, në funksion të rritjes së aksesit të qytetarëve në marrjen e shërbimeve shëndetësore, në kohë dhe me cilësi”.
Nga ana e saj, Ministrja Qato tha se ky dialog do të vijojë me specialistë nga të dy palët për të përgatitur paketa për qeverinë.
Tryeza mbi Shëndetësinë, është tryeza përmbyllëse e zhvilluar nga Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, pjesë e një cikli prej 9 tryezave, gjatë të cilave komunitetit i biznesit ka ngritur dhe ballafaquar me institucionet përkatëse sugjerimet dhe shqetësimet e tyre kryesore, të cilat do të përcillen për diskutim në Këshillin e Ministrave.
/z.tosku /a.g/


















