BRUKSEL, 25 prill /ATSH-AFP/ – Marrëveshja aktuale për programin bërthamor iranian funksionon dhe duhet mbrojtur, konfirmoi sot shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ndërkohë që SHBA-ja dhe Franca u shprehën se dëshirojnë të punojnë për një marrëveshje të re.
“Sa për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, do të shohim. Por, ka një marrëveshje që ekziston, ajo funskionon dhe duhet mbrojtur”, theksoi Mogherini, pas mbërritjes në një konferencë të donatorëve për Sirinë në Bruksel.
Gjatë një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së më 16 prill në Luksemburg, Mogherini kishte përjashtuar diskutimin për zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të marrëveshjes së arritur me Teheranin për programin bërthamor.
Bashkimi Europian mori pjesë në arritjen e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar në Vjenë në korrik 2015 pas disa vitesh negociata mes Iranit dhe grupit 5+1 (Gjermani, Kinë, SHBA, Francë, Britani e Madhe dhe Rusi).
Në përfundim të marrëveshjes, Teherani pranoi të ngrinte programin bërthamor deri në 2025./ /ec/ a.jor.













