Idealizmi ynë për Europën të respektohet

TIRANË, 25 prill /ATSH/ – T’i mohosh Shqipërisë mundësinë për t’u bërë një ditë anëtare e BE-së do të thotë të ushqesh radikalizmin mysliman në një vend ballkanik dhe të vësh në rrezik stabilitetin rajonal, deklaron kryeministri shqiptar, Edi Rama për Reuters.

Rama, i cili ndodhet në Berlin për të kërkuar mbështetje për hapjen e negociatave të anëtarësimit, pas dhënies së rekomandimit nga Komisioni Europian javën që kaloi, ai kritikoi ashpër disa politikanë europianë, të cilët nxisin ndjenja antimyslimane duke i etiketuar ata si ”investitorë të radikalizmit”.

Pak përpara takimit me kancelaren Angela Merkel, Rama paralajmëroi se Rusia gjithashtu synon të radikalizojë popullsinë myslimane në Shqipëri dhe i bën thirrje BE-së të lërë hapësirë për vendet e tjera.

Pushteti ekzekutiv i BE-së është i interesuar t’u ofrojë mundësinë e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në përpjekje për të kundërvepruar ndaj influencës në rritje nga ana e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker deklaroi javën e kaluar se blloku ka nevojë të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të mënjanuar kërcënimin e një lufte të re atje.

Por, qeveritë anëtare, të vetëdijshmë për skepticizmin ndaj hapjes së BE-së me vende më të varfra, janë më të kujdesshme.

Nga Britania në Hungari, partitë populiste kanë fituar zgjedhjet duke luajtur me rrezikun që vjen nga një popullsi e madhe myslimane, ndërkohë që hapja e tregjeve europiane të punës ndaj vendeve të varfra është kritikuar si faktori kryesor për mosrritjen e pagave.

”Në terma statistikorë, Shqipëria është një vend me shumicë myslimanë, por do të thosha se feja kryesore në Shqipëri është Europa”, tha Rama.

”Pra të gjitha këto forca politike janë praktikisht investitorë kryesorë të radikalizmit nga ana e Europës. Dhe unë i neveris ato”, shton ai.

”Mbyllja e perspektivës europiane për Shqipërinë do të lejonte një boshllëk që Rusia do të ishte e gatshme për ta shfrytëzuar”, shton ai duke paralajmëruar se ndërhyrja e dyshuar e Moskës gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në Malin e Zi mund të përsëritej tjetërkund në Ballkan.

Zyrtarët europianë kanë përshëndetur progresin e Shqipërisë në forcimin e pavarësisë të sistemit të saj gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e deokracisë, por shumë zyrtarë në Bruksel kanë qenë të zhgënjyer nga hapat pas në proceset demokratike në Hungari dhe Poloni, që nga anëtarësimi i tyre në union në vitin 2004.

Duke pranuar se Shqipëria nuk garantonte se nuk do të bënte të njëjtën gjë, Rama tha se vendi i tij nuk kishte alternativë tjetër përveç se asaj të integrimit europian.

“Është njësoj si të pyesësh një çift përpara se të martohet”, thotë ai.

“Ju nuk mund t’i kërkoni atyre më shumë se premtimi për të qenë bashkë për gjithë jetën – dhe më pas gjërat rrjedhin natyrshëm”.

“Është e rëndësishme që idealizmi ynë për Europën të respektohet dhe të mos merret për naivitet”, thotë Rama./ /sm/ a.jor.

https://www.reuters.com/article/us-eu-albania/dont-turn-your-back-on-us-albania-pm-tells-eu-idUSKBN1HW1JS

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.