UASHINGTON, 18 prill /ATSH-AFP/ – G7 Financë u kërkoi sot qeverive dhe bankave të forcojnë kontrollet mbi veprimtaritë ”e paligjshme” financiare të Koresë së Veriut, duke vlerësuar se vendi po anashkalonte sanksionet ndërkombëtare.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Financave të G7 (Gjermani, Kanada, SHBA, Francë, Itali, Japoni dhe Britani e Madhe) shprehën shqetësimin e tyre rreth kapacitetit të Koresë së Veriut për të vazhduar të ketë qasje në sistemin ndërkombëtar financiar, duke theksuar se vendi përdorte ende një rrjet të shoqërive fantazmë si dhe struktura komplekse për të patur akses në fonde, pavarësisht sanksioneve.
Këto deklarata vijnë ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi sot zhvillimin e bisedimeve të rangut të lartë me Phenianin.
Drejtori i CIA-s dhe sekretari i ardhshëm amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka takuar Kim Jong Un në Korenë e Veriut javën e kaluar. Takimi kaloi mirë dhe u vendos një marrëdhënie e mirë”, deklaroi Trump.
“Denuklearizimi do të jetë një ngjarje e madhe për të gjithë botën, por gjithashtu dhe për Korenë e Veriut”, shtoi ai.
Grupi i G7-ës është i vendosur për të vijuar së ushtruari presion maksimal ekonomik ndaj Koresë së Veriut për të nxitur vendin që të konkretizojë deklaratat pozitive në fushën e denuklearizimit./
/v.b/























