Ballina Kryesore

Hapja e negociatave, Mogherini takime në Tiranë

TIRANË, 18 Prill/ATSH/.- Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ndodhet sot në Tiranë, ku do të zhvillojë takime dhe do të përcjellë mesazhin për Shqipërinë në emër të Bashkimit Europian, pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave.

Pas publikimit dje të progres-raportit të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, Mogherini nisi një tur ballkanik me vizitën në Shqipëri. Ajo mbërriti mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ndërsa sot pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të vendit.

Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama shpërndau një foto me Shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, të cilën e cilëson “një mike të madhe të Shqipërisë e shqiptarëve”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë moment duarshtrëngimi me një mike të madhe të Shqipërisë e shqiptarëve, e cila zbriti mbrëmë në vendin tonë menjëherë pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Komisioni Europian rekomandoi të martën hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë./m.m/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAdministrata e Bashkisë së Gramshit në aksion për pastrimin e territorit
Artikulli tjetërShqipëria përparim mbresëlënës me axhendën e reformave