Shqipëria përparim mbresëlënës me axhendën e reformave

 

TIRANË, 18 Prill/ATSH/- Komisioneri Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, Johannes Hahn, pas publikimit të raportit vjetor 2018 për Shqipërinë, përmes një video mesazhi, vlerësoi si mbresëlënës përparimin që bëri vendi ynë me axhendën e reformave.

“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, jam i lumtur t’u njoftoj se Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Duke e bërë këtë, ne kemi njohur përparimin mbresëlënës që ka bërë vendi juaj me axhendën e reformave, duke përmbushur kushtet e nevojshme për të hyrë në negociata me BE-në”, thuhet në mesazhin e Hahn.

Strategjia jonë e re e Ballkanit Perëndimor, shprehet komisioneri Hahn, tregon qartë se perspektiva e anëtarësimit në BE për Shqipërinë është reale, nëse vendi vazhdon të japë rezultate për reformat për të cilat është rënë dakord.

Raporti, vijoi Hahn, përshkruan në detaje përparimin që është bërë tashmë, si dhe rekomandime se, ku të përqendrohemi për të arritur përparim të mëtejshëm.

“Është e qartë se rezultatet e para në reformimin e sistemit gjyqësor, të administratës publike, në forcimin e të drejtave të njeriut dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë inkurajuese dhe janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur”, deklaroi ai.

Në këtë drejtim, tha Hahn, dëshiroj të theksoj veçanërisht verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të ndihmojë për të rifituar besimin te gjyqësori.

Tani, shprehet ai më tej, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të vazhdojë në këtë rrugë reformash dhe të japë rezultate të tjera konkrete.

“Mendoj se nuk është sekret se duhet bërë më shumë për ta sjellë Shqipërinë drejt standardeve të BE-së. Por unë jam shumë i bindur se negociatat e anëtarësimit do të jenë formati i duhur dhe janë një mundësi unike për Shqipërinë, për ta modernizuar më tej vendin dhe për ta rritur cilësinë e jetës për qytetarët e saj, që nga dhënia atyre e mundësive më të mira ekonomike, deri te rritja e qasjes në shërbimet publike”, theksoi ai.

Nuk e fsheh se ky proces, nënvizoi komisioneri Hahn, do të jetë një proces shumë intensiv, që do të kërkojë ndonjëherë vendime të vështira dhe një angazhim dhe vendosmëri të qartë politike.

“Perspektiva e Bashkimit Europian duhet parë dhe duhet trajtuar si një objektiv kombëtar, i mbështetur nga të gjithë lojtarët përkatës në shoqëri”, tha ai.

Sot do të doja të ripërtërija, vuri në dukje Hahn, angazhimin tonë të vendosur për ta mbështetur Shqipërinë në udhën e saj drejt BE-së.

“Dëshiroj të përgëzoj Shqipërinë dhe popullin e saj për arritjen e një tjetër etape të rëndësishme në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian. Kam besim të mbështetja juaj e vazhdueshme! Së bashku do t’ia dalim!”, ishte mesazhi i komisionerit Hahn drejtuar qytetarëve shqiptarë pasi KE rekomandoi hapjen e negociatave.
/a.gjonaj//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.