TIRANE, 18 Prill /ATSH/ -Në kuadër të masave për respektimin e Moratoriumit të pyjeve dhe mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore të bashkisë Pukë, kreu i bashkisë, Gjon Gjonaj i shoqëruar nga zv.kryetari, Mustaf Kopani zhvilloi sot një takim pune me punonjësit e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në bashkinë Pukë.
Teksa falenderoi punonjësit e Shërbimit Pyjor për angazhimin e deritanishëm në mbrojtjen e pyjeve, gjë e cila reflektohet dhe në eleminimin e dëmeve në ekonominë pyjore të bashkisë, kryebashkiaku kërkoi angazhim maksimal nga ana e tyre që të respektohet Moratoriumi, pasi përmes kësaj vjen dhe mbrojtja e pyjeve.
“Ndaj çdo njërit prej jush kërkoj respektim vetëm të ligjit për pyjet. Në çdo hap që ju hidhni për mbrojtjen e pyjeve dhe respektimin e ligjit do të jem hap për hap me ju në çdo çast të 24 orëshit”, tha kryebashkiaku Gjonaj teksa i ftoj ata që të tregonin kujdes dhe ndaj tentativave për të hapur shtigje rrugore për interesa të caktuara.
Ai ju bëri të ditur teknikëve dhe inxhinierëve të pyjeve se për çdo rast që përbente rrezikshmëri për ta, do të kenë dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit, e cila është përgjigjur në çdo rast që i është kërkuar.
“Jeni përgjegjës për çdo rast që do të konstatohet. Merreni seriozisht luftën kundër lëndëve narkotike. Nuk do të funksionojë më tog-fjalëshi, nuk e kam parë, nuk e kam ditur”, tha Gjonaj.
Kryebashkiaku e mbylli fjalën e tij dhe me një apel drejtuar punonjësve të Shërbimit Pyjor lidhur me masat kundër zjarreve në sipërfaqet pyjore.
“Nëse sezonin e kaluar veror ne e kaluam pa dëmtime në sipërfaqet pyjore si pasojë e zjarreve, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi të vëmendshëm gjatë këtij viti. Përkundrazi ju ftoj të vijomë traditën e nisur ndaj mbrojtjes së ekonomive pyjore nga zjarret, një fenomen mjaft i rrezikshëm për mjedisin dhe pyjet e Pukës” tha ndër të tjera Gjonaj. /e.malaj/ /a.g/















