TIRANË, 16 prill/ATSH/-Rreth 2994 mësues, të cilët do të marrin pjesë në testimin që është parashikuar të bëhet në datën 21 prill, do të përftojnë rritje rroge.
Arsimtarët që do të rezultojnë kalues, do të përfitojnë nga 700 deri në 2800 lekë më tepër mbi pagën bazë. Rritja, do të reflektohet nga muaji korrik, pas përfundimit të vlerësimit dhe ankimimit të tezave. Ndërsa ata që nuk marrin pragun minimal të pikëve, e vetmja gjë që humbasin është shtesa mbi pagë, pasi testimin për kualifikim kanë të drejtë ta përsërisin deri në tri herë.
Qëllimi primar i këtij procesi kualifikimi, sipas tij është zhvillimi profesional. Kualifikimi është proces që organizohet çdo vit dhe lidhet me rritjen në kategori të mësuesve. Edhe këtë vit, testimi do të bazohet në po të njëjtat udhëzime si edhe vitet e kaluara. Formati i testit si dhe vlerësimi i testeve do të realizohet në të njëjtën mënyrë.
Sakaq, testimi i kualifikimit të mësuesve përmban dy pjesë. Pjesa e parë i referohet formimit psiko-pedagogjik të mësuesit dhe përmban kërkesa që lidhen me programin lëndor, metodologjinë, vlerësimin, dokumentacionin, komunikimin dhe etikën si dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Pjesa e dytë i referohet përmbajtjes shkencore të lëndës dhe profilit përkatës.
Sipas kritereve të përcaktuara në udhëzim, mësuesit duhet të përmbushin kriteret e vjetërsisë në punë si mësues për të fituar kategorinë përkatëse të kualifikimit. Rritja është 5% për kategorinë e tretë “Mësues i kualifikuar”, 10% për të dytën, “Mësues specialist” dhe 20% për kategorinë e parë “Më- sues mjeshtër”, e pagës së grupit që i përkasin. /a.g/























