Deklarimi individual vjetor i të ardhurave, afati 30 prill

270

TIRANE, 16 Prill/ATSH/-Çdo individ rezident në vendin tonë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi dy milionë lekë në vit është i detyruar të paraqesë Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi dy milionë lekë.

Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, të ardhurat bruto nga dividenti, të ardhurat bruto nga qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit, të ardhura bruto nga interesat bankare, fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme si dhe të ardhura të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.

Po ashtu deklarohen të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, fitimi i kapitalit nga dhurimi, të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të ardhurat bruto të tjera të papërmendura më lart

Çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm.

Plotësimi i pasaktë i deklaratës individuale vjetore të të ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues.

Përfitojnë zbritjen e shpenzimeve tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën një milion e pesëdhjetë mijë lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë, të cilët mund të jenë subjekte deklaruese.

Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritëshme kryhet brenda datës 30 shtator të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata.

Personat jo rezidentë nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme.

Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.

Deklarata për të ardhurat e përfituara në vitin 2017, dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Filing.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.