SHBA – Zuckerberg kërkon falje para Senatit për rrjedhjen e të dhënave

UASHINGTON, 10 prill /ATSH-AFP/ – Drejtuesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg theksoi sot para Senatit se rrjeti social nuk ishte një monopol dhe shtoi se nuk ishte kundër një rregullimi të këtij sektori.

Drejtuesi i rrjetit social “Facebook” Mark Zuckerberg kërkoi sot falje para Senatit amerikan për gabimet e kryera përsa i përket mbrojtjes të të dhënave dhe manipulimit politik.

“Sot, është e dukshme që ne nuk kemi bërë mjaftueshëm për të penguar keqpërdorimin e këtyre mjeteve (…). Ne nuk kemi marrë asnjë përgjegjësi. Ky ishte gabimi im dhe jam i dëshpëruar”, theksoi ai, pas skandalit për rrjedhjen e të dhënave drejt “Cambridge Analytica”.

“Do të duhet kohë për të bërë më mirë të gjitha ndryshimet e nevojshme për limitimin e keqpëdorimeve”, shtoi ai.

Miliarderi është dëgjuar nga parlamentarët amerikanë gjatë seancave dëgjimore që filluan sot dhe do të vazhdojnë deri nesër.

Ata synojnë të zbulojnë se si të dhënat e dhjetëra milionë përdoruesve të Facebook janë gjendur në duart e “Cambridge Analytica”.

Themeluesi i “Facebook”, do të vijojë t’u përgjigjet pyetjeve para kongresit amerikan në lidhje me “rrjedhjen” e të dhënave të përdoruesve./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.