Ballina Kosova

Samiti i Sofjes, shans i ri për marrëdhëniet Kosovë-BE

PRISHTINË, 10 prill/ATSH/- Samiti i Sofjes për Kosovën, është një shans i ri i përparimit të marrëdhënieve me Bashkimin Europian, theksoi sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi bën të ditur se zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Europian.

“Ne biseduam për Samitin e Sofjes, i cili është i rëndësishëm për rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Po ashtu konfirmuam se do të takohemi shumë shpejt për koordinimin të axhendës sonë bilaterale, por edhe asaj euro-atlantike”, nënvizon Thaçi.

Kreu i shtetit shprehet se, “theksova nevojën e qartësimit të perspektivës europiane për Kosovën, si parakusht për krijimin e një dinamike të re në përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim të plotë në BE”.

“Ishte qëndrim i përbashkët që duhet të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si një domosdoshmëri për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon Thaçi./k.s//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVjero: Nuk ka taksë të re për tatimpaguesit, tregjet janë të përjashtuara nga TVSH
Artikulli tjetërTask Forca fillon procedurat për verifikimin e tokave në bregdet