Ballina Ekonomi

Rritet me 25% fluksi i trageteve dhe i udhëtarëve në portin e Durrësit

TIRANË, 10 Prill /ATSH/- Festat e Pashkëve dhe afrimi i sezonit veror, kanë rritur me 20-25% fluksin e trageteve dhe të udhëtarëve në portin e Durrësit.

Për të përballuar fluksin e lëvizjeve gjatë kësaj periudhe, agjencitë shtuan numrin e trageteve, ndërsa parashikojnë që me afrimin e sezonit veror, në muajt korrik-gusht që shënon dhe pikun e sezonit, numri i trageteve të jetë 3 deri 4 herë më i lartë se në periudhën e ditëve normale.

118 mijë udhëtarë me tragete vetëm në 3 muajt e parë 2017

Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit bëjnë të ditur se, që prej fillimit të këtij viti e deri tani, mbi 118 mijë udhëtarë kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) dhe anasjelltas. Ndërkohë gjatë vitit 2017 numri i përgjithshëm i udhëtarëve që frekuentuan portin e Durrësit u rrit në 880 mijë persona e mbi 200 mijë automjete.

Korrik-gusht 2017, 390 mijë udhëtarë dhe 89 mijë autovetura

Rreth 6300 udhëtarë me 1435 autovetura kanë shfrytëzuar mesatarisht çdo ditë tragetet nga dhe drejt Durrësit gjatë periudhës korrik-gusht të këtij viti.

Afro 390 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj gjithsej kanë lëvizur me tragete në periudhën 2-mujore korrik-gusht 2017. Shifrat janë 7-10 përqind më të larta, për çdo muaj krahasuar përkatësisht me dy muajt e vitit 2016.

Gjatë stinës së verës dhjetëra-mijë bashkatdhetarë me punë dhe banim jashtë vendit mbërrijnë në Durrës, për të vijuar udhëtimin drejt familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Nuk mungojnë edhe të huajt që vijnë me tragete për të pushuar në bregdetin shqiptar, çka dikton nevojën e shtimit të numrit të trageteve nga 2-3 tragete që janë në cdo ditë në periudha normale, në 6-7 tragete në ditët e sezonit veror. /e.xh//r.e/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPORT – Gjermani Tuchel, gati të marrë drejtimin e PSG
Artikulli tjetërGJERMANI – “Lufthansa” dhe “Air France” në grevë, qindra fluturime të anuluara