Ballina Kulturë

FOTO/ Pashkët, fluks turistësh në Kishën e Shën Mërisë në Përmet

TIRANE, 9 Prill /ATSH-A.Alla/ – Monumentet e kulturës dhe pikat turistike të Shqipërisë po bëhen gati për të pritur turistët në sezonin e ri turistik i cili duket se ka filluar në këto ditë të bukura pranvere.

Përmeti “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, po mirëpret turistët që të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Përmeti mbetet premtues në këtë sezon turistik. Kosina një nga 100 fshatrat ku po restaurohet Kisha e Shën Mërisë, kishë e rrallë dhe me vlerë kulturore e arkitekturore e cila ka potencial për bujtina familjare, ka pritur këtë fundjavë turistët për të festuar Pashkët.

Pashkët nuk mund të ishin më bukur se sa në Kosinë, në të cilën ndërthuret natyra dhe kulti e ku turistët shijojnë përveç bukurive natyrore dhe mikpritjen përmetare ku amvisat duararta i servirin atyre larmishmërinë dhe traditën kulinare të Përmetit.

Kisha e Kosinës në Përmet mbi 500 vjeçare është e dyta për nga vjetërsia në Ballkan e cila po restaurohet. Ky projekt është i pari restaurues për këtë monument kulture, që nga viti ’80.

Kisha e Kosinës është e njohur jo vetëm si një objekt monument kulture me vlera të rralla kulturore por dhe arkitektonike. Kisha është e ndërtuar sipas stilit bizantin, vetëm me qemer dhe në anën veriperëndimore, ka disa mbishkrime të padeshifruara.

Kisha e Shën Mërisë është një objekt kulti me destinacion turizmin historik dhe religjoz./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/Investimet në Lushnje, impakt në zhvillimin e biznesit
Artikulli tjetër11 mijë efektivë në sitën e Vetting-ut, zv.ministri Hodaj për ATSH: Kush largohet