Ballina Ekonomi

Shtohen sektorët pjesë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të pagesave

TIRANE, 29 Mars /ATSH/-Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ka miratuar disa ndryshimeve në rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të pagesave”, që parashikon zgjerimin e gamës së sektorëve që i nënshtrohen kontrollit nga ky komitet.

Në bazë të këtyre ndryshimeve, pjesë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave bëhen edhe përfaqësuesit e subjekteve financiare jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e pagesave dhe të operatorëve të infrastrukturave për klerim dhe shlyerje.

Në fund të vitit 2017, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë u rrit me 8 miliardë lekë

Gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi edhe pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.

Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga KPMG Albania Sh.p.k., dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.

Në fund të vitit 2017, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 533 miliardë lekë, rreth 8 miliardë lekë më i lartë se në fund të vitit 2016. Peshën më të lartë në totalin e aktiveve e zënë investimet në letra me vlerë të huaja, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me 46 %.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë. e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Fillo me një ide – Fito një intership në Bashkinë Tiranë”, projekti që i mundëson studentëve fillimin e karrierës profesionale
Artikulli tjetërKorça përzgjidhet për ndërtimin e centralit me gaz për ngrohje e prodhim energjie