Korça përzgjidhet për ndërtimin e centralit me gaz për ngrohje e prodhim energjie

TIRANE, 29 Mars /ATSH/-Korça u përzgjodh si vendi i propozuar ku mund të ndërtohet Centrali me gaz për ngrohje dhe prodhim energjie, pasi ardhja e gazit natyror në Shqipëri nëpërmjet TAP krijon një mundësi për të pasur burim të sigurt dhe efikas të prodhimit të energjisë, të shkëputur nga kushtet e pasigurta hidrologjike, dhe për këtë arsye ai do të shërbejë në rritjen e sigurisë së furnizimit.

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe kompania IVICOM GmbH, organizuan prezantimin e projektit për ndërtimin e një termocentrali me gaz me fuqi 500 MW për prodhim energjie dhe ngrohje në periferi të qytetit të Korçës.

Në tryezë merrnin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe përfaqësuesve nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ERE, KESH, OST, OSHEE, AAA Shqipëri, Bashkia e Korçës dhe Prefektura e Korçës.

Specialistë nga IVICOM GmbH dhe Konsulentët prezantuan projektin dhe studimet e fizibilitetit të Tregut të përgatitura përgjatë 9 muajve të fundit. Një analizë gjithëpërfshirëse e tregjeve Rajonale dhe Shqiptare të energjisë elektrike, gazit dhe ngrohjes, sipas studimit dëshmon qendrueshmërinë financiare të këtij investimi.

Investimi i kompanisë austriake IVICOM GmbH për ndërtimin e këtij centrali parashikohet të arrijë në 500 milion euro. Ai propozohet të jetë tërësisht privat, pa asnjë ndikim në Buxhetin e Shtetit.

Gjithashtu, përveç rritjes së ekonomisë lokale nga ndërtimi i serave, sipas studimit, ky investim mund të sigurojë ngrohje efikase dhe të pastër për banorët e Korçës përmes një rrjeti të ngrohjes qendrore. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.