BERLIN, 28 mars /ATSH-AFP/ – Me politikën e rotacionit, Low kontribuoi shumë për fitoren e brazilianëve 1-0 të martën në Berlin kundër Mannschaft-it (emri gjerman i ekipit kombëtar të futbollit – shën. i përkth.).
Me titullin “Brazili ndëshkon fiksimin e Joachim Low për eksperiencat”, NTV kujton se trajneri kishte ndryshuar shtatë lojtarë në raport me ndeshjen e luajtur të premten kundër Spanjës (1-1), për të proceduar një rishikim të fundit të efektivit para publikimit të listës për Botërorin.
Brazilianët fituan në sajë të një goli nga Gabriel Jesus në minutën e 38-të.
“Suksesi i brazilianëve në kryeqytetin gjerman, rreth katër vite pas humbjes 7-1 të Belo Horizonte, është i merituar”, shkruan “FAZ” e Frankfurtit.
“Disa nga lojtarët më të njohur si Leroy Sane dhe Ilkay Gundogan i Manchester City nuk arritën të kapnin mundësitë e tyre, ashtu siç do të kishin dashur.
I gjithë shtypi merret me deklaratat e ashpra të Toni Kroos kundër bashkëlojtarëve të rinj.
“Sot, kishte lojtarë që duhej të tregonin veten dhe që nuk e bënë”, thekson ai.
“Pas një paraqitjeje të nivelit A me ekipin A kundër Spanjës, Ekipi B dha të martën një paraqitje të nivelit C”, shprehu me keqardhje e përditshmja e Mynihut “Süddeutsche Zeitung” (SZ): “As para as pas golit brazilian, njëmbëdhjetëshja e Low nuk ka arritur në nivelin sulmues.
“Kampionët e botës kanë treguar dobësi për testin e tyre të fundit të nivelit të lartë para Botërorit”, theksojnë mediat në internet./ /ec/ a.jor.













