TIRANË, 28 Mars/ATSH-Maela Marini/ – Qeveria miratoi sot një paketë të re në mbështetje të arsimit profesional dhe asaj pjese të të papunëve që kanë më shumë nevojë të trajnohen.
I pranishëm në ceremoninë e diplomimit në shkollën profesionale të Tekonologjisë së Informacionit dhe Komunikimit “Hermann Gmeiner”, në Tiranë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj informoi mbi vendimin e sotëm të qeverisë në mbështetje të arsimit profesional.
Sipas tij, “janë 3 grupe që sot promovohen me vendimin e Këshillit të Ministrave, me mbështetje të drejtpërdrejt”.
“Janë nënat kryefamiljare që ju paguhen për 1 vit që do të trajnohen sigurimet shoqërore dhe 6 paga; të rinjtë që diplomohen në arsimin profesional që kanë mundësi të kenë një vit sigurime nga buxheti i shtetit dhe 6 paga, si dhe një fond i konsiderueshëm për punëdhënësit në mënyrë që buxheti i shtetit të mbështesë arsimin profesonal, trajnimin dhe kalimin nga bankat e shkollës në punësim”, tha Ahmetaj.
Përmes këtyre instrumentave punësimi që, sipas Ahmetaj, duken modeste por në terrenin ekonomik bëjnë diferencë shumë të madhe, është shumë e madhe mbështetja për shumë të rinj dhe familje shqiptare.
Në fjalën e tij, Ahmetaj vuri në dukje po ashtu ndryshimet gjatë 5 viteve të fundit në arsimin profesional, duke nënvizuar mbështetjen e drejtpërdrejt të kryeministrit në këtë proces.
Po ashtu, nisur nga prezantimi i dy projekteve gjatë kësaj ceremonie, asaj për votimin elektronike dhe Tchat, Ahmetaj tha se “këto janë shkolla ku mund të prodhohet dije, industri, ekonomi dhe patenta”.
“TIK tashmë është kthyer në një industri shumë të rëndësishme edhe në Shqipëri. Turizmi, shërbimet në tërësi dhe industri si kjo, kanë qenë motorët kryesor të ekonomisë dhe eksporteve. E ardhmja e punës është e garantuar për njerëz si ju”, tha Ahmetaj.
Ai theksoi se qeveria do të vazhdojë ta mbështesë arsimin profesional dhe kurset profesionale, pasi punësimi ka në gjenezë arsimin profesional dhe ekonomia ka në gjenezë manifakturën, industritë dhe industrinë e teknologjisë dhe komunikimit.
Ahmetaj tha se ka një plan të detajuar në mbështetje të arsimit profesional. “Këtë vit hapet një proces i ri për një shkollë si kjo. Jam i bindur se kjo shkollë do të ketë punësimin më të lartë nga të gjitha shkollat. 42 për qind e nxënësve menjëherë punësohen”, tha ai.























