Ballina Kosova

Kosovë-Serbi, të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut

PRISHTINË, 27 Mars/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se “pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë. Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës”.

Në një deklaratë për shtyp, Thaçi shprehet se “zhvillimet e së hënës, më 26 mars 2018, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cënim i përpjekjeve për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kreu i shtetit bën ftesë që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim.

“Sot bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara”, thekson Thaçi.

Presidenti shprehet se “Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin e saj dhe do të kërkojë gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës”.

Ai shpreh keqardhjen që ngjarjet e djeshme kanë trazuar paqen dhe kanë shqetësuar të gjitha komunitetet e Kosovës, por shton ai ftoj të gjithë që ta ruajnë arsyen.

“Derisa policia ka treguar profesionalizëm në punën e saj, e përshëndes edhe reagimin e institucioneve të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Kosovës që kanë reaguar me kohë, si dhe gatishmërinë e tyre që të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë të gjitha zhvillimet e ditës së hënë, 26 mars 2018, të lidhura me hyrjen ilegale të Marko Gjuriç në Kosovë”, përfundon Thaçi./k.s./

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSUEDI – Jacqueline Woodson fiton çmimin ”Astrid Lindgren”
Artikulli tjetërReforma e Pronës e dyta më e rëndësishme pas asaj në Drejtësi