Ballina Aktualitet

Reforma e Pronës e dyta më e rëndësishme pas asaj në Drejtësi

-Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, zhvillojnë takime faktmbledhëse në Vlorë, për çështjen e pronave-

Vlorë, 27 mars/ATSH-Harilla Koçi/.- Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nisën të martën një vizitë faktmbledhëse dy ditore në Vlorë, e cila ka në bazë çështjen e pronave dhe nisjes së Reformës në këtë fushë.

Pas takimeve që zhvilluan në Bashkinë e këtij qyteti dhe me qytetarë e përfaqësues të ALUIZNI-t dhe Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlahutin e Gjonaj dhanë një deklaratë për gazetarët.

Sipas Vlahutin, Reforma e Pronave është e dyta më e rëndësishme në Shqipëri, pas Reformës në Drejtësi. Kjo, për faktin se, sipas saj, çështja e pronave është një e drejtë themelore e njeriut.

“Prona private është një e drejtë themelore e njeriut dhe, për ne, si Bashkim Europian, është e panegociueshme çështja e pronave”, theksoi Ambasadorja e BE-së në Tiranë.

Ajo tha se, ky tur vizitash faktmbledhëse, nisi nga Vlora sepse Vlora është një rajon shumë problematik, ashtu siç janë rajonet bregdetare. “Për mua, për Ekipin e Delegacionit Evropian në Shqipëri, ky është udhëtim faktmbledhës, sepse duam të flasim me gjithëkënd që në një mënyrë apo në një tjetër, ka lidhje me çështjen e pronave, ashtu sikundër do të flasim me institucionet administrative, me Policinë, me Prokurorinë, me Gjykatat”, shtoi Vlahutin, për të cilën, thelbësore, janë qytetarët, takimet me ta.

Sipas saj, gjatë 27 viteve të fundit por edhe më parë, ka patur një kaos të jashtëzakonshëm, që është shkaktuar për çështjen e pronësisë, prandaj dhe për këtë arsye, pas Reformës në Drejtësi, kjo është Reforma tjetër më e rëndësishme për shqiptarët.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, sqaroi se, krahas Vlorës do të ketë edhe takime të ngjashme në Bashki të tjera të vendit. “Më pas, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, do të gjendet një mënyrë për të ndihmuar, për të analizuar situatën, pikësëpari nga këndvështrimi ligjor dhe nga përvojat e ndryshme që kanë patur qytetarët dhe të gjejmë më pas zgjidhjen më të drejtë, që e përsëris, do të respektojë së pari e mbi të gjitha, të drejtën e pronësisë” u shpreh ajo.

Në vijim, Vlahutin nënvizoi se, ka një problem të jashtëzakonshëm me ish pronarët, të cilët për 27 vjet nuk regjistrojnë dot prona që të afërmit e tyre i kanë patur për 300 vjet. Dhe kjo, sipas saj, është pika nga do të fillojë gjithë ky proces.

“Mesazhi që mora nga qytetarët është që, kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse përbën bazën e demokracisë jo vetëm për BE-në, por për demokracinë në vetvete. Njerëzit kanë pritur një kohë shumë të gjatë që kjo të gjejë zgjidhje dhe shumë gjëra kanë ndodhur gjatë kohës  në vitet 1990-të, në 2010-tën dhe më vonë. Ndaj ka ardhur koha që ky problem të gjejë zgjidhje”, deklaroi Vlahutin për gazetarët e qytetit të Vlorës.

Nga ana e saj, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, theksoi se, çështja e pronave është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare.

“Çështja e pronave përmban në vetvete një problematikë të jashtëzakonshme për të cilën ne, si Qeveri këmi ndërmarrë një sërë nismash së fundi, kemi filluar zbatimin e Reformës së Pronës, duke e nisur së pari me pezullimin e përkohshëm të Lëshimit dhe Regjistrimit të AMTB-ve në zonën e Bregdetit”, nënvizoi ministrja, sipas të cilës, kjo bëhet për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit të jashtëzakonshëm që është identifikuar në këto zona.

“Task Forca që është ngritur për këtë qëllim, do të identifikojë të gjitha ato toka me të cilat është abuzuar dhe së bashku me Policinë dhe Prokurorinë do të ndiqen të gjitha rastet ku ka patur abuzime me qëllim që personat përgjegjës të vihen përpara përgjegjësisë penale”, u shpreh Gjonaj.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, zhvilluan edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili, mes të tjerash, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për investimet e BE-së në Vlorë, duke veçuar projektet e Shëtitores Buzë Detit dhe sistemin e Kanalizimeve, si edhe mbështetjen e fuqishme të Qeverisë Shqiptare.

Ai veçoi se, prezenca  në Vlorë e Vlahutin dhe ministres Gjonaj, në ditën e parë të vendosjes në godinën e rikonstruktuar të Bashkisë, është simbolikë domethënëse e kësaj mbështetjeje. “Prania juaj, në zyrën time, në zyrën e qytetarëve të Vlorës, në ditën e parë të vendosjes në këtë godinë të rikonstruktuar, është mjaft simbolike dhe dëshmi e bashkëpunimit tonë”, theksoi Leli.

Në vazhdim, Vlahutin dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pritet të zhvillojjë takime me përfaqësues të institucioneve të tjera vendore, prokurorisë, Gjykatës, me përfaqësues të shoqërisë civile etj./k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë-Serbi, të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut
Artikulli tjetër4.5 milion euro për pajisjen e spitaleve rajonale me aparatura biomjekësore