Ballina Lajme nga Vendi

Bashkia nis rikonstruksionin e një tjetër rruge në kryeqytet

TIRANË, 26 Mars/ ATSH/ – Qindra qytetarë të cilët jetojnë në zonën pranë Liqenit të Thatë do të shpëtojnë njëherë e mirë nga balta gjatë reshjeve të shiut dhe nga pluhurat gjatë verës duke iu gëzuar një rruge me të gjitha standardet e nevojshme.

Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e rrugës, e cila kalon përmes pallateve të reja të ndërtuara pas viteve ’90, por ku nuk ishte menduar për përmirësimin e infrastrukturës gjatë kohës që kjo zonë ishte nën administrimin e ish-Komunës së Farkës. Siç mund të shihni edhe nga këto foto, mjetet e rënda të ndërmarrjes Nr. 2 të Bashkisë së Tiranës krahas punimeve nëntokësore, aktualisht po shtrojnë çakullin duke e përgatitur për asfaltin.

Prej vitesh banorët e kësaj zone ankoheshin se mungesa e rrugës po dëmtonte automjetet e tyre, ndërsa krijonte mjaft probleme edhe për kalimtarët. Gjatë këtyre tre viteve, Bashkia e Tiranës ka nisur një sërë projektesh të rëndësishme për sistemimin e blloqeve ndërmjet pallateve, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja, duke menduar për herë të parë edhe për urbanizimin e këtyre zonave. /z.tosku//r.e/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOSBE mbështet Shqipërinë në menaxhimin e integruar të kufirit
Artikulli tjetërSPORT- Shqipëria humbet miqësoren ndaj Norvegjisë