Ballina Aktualitet

Rama për POLITICO: KE, raport pozitiv për integrimin e Shqipërisë

TIRANË, 21 mars /ATSH/ – Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Europian përpara Shqipërisë megjithëse Beogradi është caktuar në pararojë të garës për anëtarësim, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama për POLITICO.

Komisioni Europian ka deklaruar gjatë muajve të fundit se është i hapur ndaj perspektivës për pranimin e anëtarëve të rinj nga Ballkani Perëndimor. Ndryshimi i tonit të Brukselit pasoi një periudhe “lodhje nga zgjerimi”, gjatë së cilës BE u ndikua nga kriza e brendshme dhe u ndesh me një reagim të ashpër në Evropën Perëndimore kundër imigracionit nga vende të reja në lindje.

Por, zyrtarë të BE-së kanë filluar të argumentojnë se zgjerimi në Ballkanin Perëndimor do të përmirësojë stabilitetin dhe sigurinë e bllokut duke vendosur standardet e BE-së për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në një rajon të paqëndrueshëm e të copëtuar nga lufta në vitet 1990. Komisioni ka përcaktuar Serbinë, vendi më i njohur në Ballkanin Perëndimor dhe fqinjin e saj më të vogël, Malin e Zi, në pararojë të procesit të anëtarësimit. Komisioni ka thënë se të dy vendet, që aktualisht janë në mes të negociatave të anëtarësimit, mund të hyjnë në BE deri në vitin 2025.

Shqipëria dhe Maqedonia presin të shohin dritën e gjelbër për të filluar bisedimet e anëtarësimit gjatë muajve të ardhshëm. Të dy vendet presin që Komisioni të konfirmojë në prill se ata i kanë plotësuar kushtet për të filluar. Më pas do të jetë në dorën e Këshillit Evropian të udhëheqësve të vendeve anëtare të cilët do të vendosin në qershor nëse do lejojnë ecjen përpara.

“Ne besojmë fort se raporti i Komisionit do të jetë pozitiv,” Rama i tha POLITICO-s gjatë një vizite në Bruksel për të shtyrë përpara çështjen e vendit të tij. “Për Këshillin, kjo është një luftë deri në sekondën e fundit sepse na duhet t’i bindim të gjithë se ka vetëm një gjë të drejtë për të bërë.”

Diplomatët shqiptarë thonë se kanë identifikuar Francën dhe Gjermaninë, dy fuqitë më të mëdha të BE-së, dhe Holandën, kryeministri i së cilës Mark Rutte ka shprehur skepticizëm për zgjerimin, si vende që duhet të përfshihen me qëllim që Këshilli të marrë një vendim pozitiv.

Megjithëse Serbia ka një avantazh të konsiderueshëm, Rama parashikoi se Serbia nuk do të hyjë në BE përpara vendit të tij- kryesisht për shkak se Beogradi duhet të zgjidhë çështjen shumë të ndjeshme të marrëdhënieve të tij me Kosovën, që në 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia.

“Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së përpara Shqipërisë. Kjo është diçka që e dimë me siguri,” tha ai.

“Serbia duhet të kalojë nëpërmjet procesit të dhimbshëm të njohjes së Kosovës apo të paktën (të zgjidhë) problemin e Kosovës” -tha Rama. “Besoj fort se duhet të ndodhë ndonjë magji-gjë që nuk do të ndodhë-në mënyrë që ata të hyjnë në BE përpara nesh.”

Megjithëse marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës janë përmirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit, mes të dy vendeve mbetet tensioni dhe rivaliteti.

Serbia dhe Shqipëria ishin në anë të ndryshme gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, kur njësitë gurilje nga shumica etnike shqiptare e territorit luftuan për t’i dhënë fund sundimit serb. Beogradi vazhdon ta konsiderojë Kosovën provincë rebele të Serbisë ndërsa Tirana ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Prishtinën. Muajin e kaluar Rama sugjeroi se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë një president të përbashkët.

Një rrugë e gjatë përpara

Gjatë një interviste të martën në Bruksel, Rama tha se Shqipëria në një farë mënyre ishte më përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE sesa Serbia apo Mali i Zi sepse kishte ndërmarrë një reformë të plotë në sistemin e saj të drejtësisë, e krijuar për të çrrënjosur korrupsionin e përhapur. Zbatimi i reformës ishte një kusht për Tiranën për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE.

“Ne kemi bërë pikërisht atë që na është kërkuar kështu që, ky proces duhet të jetë i drejtë dhe i parashikueshëm dhe duhet të bazohet në merita”, tha Rama.

Edhe pse strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor, e botuar muajin e kaluar, ofron fjalë të ngrohta për vendet e rajonit në Europë, nuk është përcaktuar qartë sesa kohë do iu duhet gjashtë vendeve kandidate për anëtarësim , Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për t’u bashkuar me bllokun. Sipas së cilës,  të gjitha këto vende kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Rama pranoi se vendi i tij duhej të merrej me këto probleme. Por, gjithashtu ai ka qënë kundër stereotipeve që sipas tij,  janë aplikuar shpesh në vendet që synonin të hynin në BE.

“Kur bullgarët donin të hynin në BE, ata i përkisnin një vendi që ishte përpjekur të vriste Papën. Dihej kudo.Rumunët i përkisnin një vendi që ka qenë disi përgjegjës për zbulimin e  prostitucionit në Europë. Tani,  ne duhet të merremi me këtë nocion,  i cilësuar si i veçantë në ADN-në tonë , që lidhet me krimin”, tha ai.

Ai argumentoi se liderët e BE-së nuk duhet t’i shmangen zgjerimit nga frika se kjo mund të forcojë populistët në vendet e tyre.

“Zgjerimi në Ballkan mbetet në interesat e tyre kombëtare”, tha ai.

“Duke qenë se mbrojtja dhe siguria është shumë e rëndësishme, Europa ka nevojë për Ballkanin. Kjo është mëse e qartë. Kriza e fundit e refugjatëve e ka treguar këtë hapur . Korridori i Ballkanit ishte themelor”, tha ai. “Imagjinoni  sikur vendet e Ballkanit nuk janë një kënd lojërash të Europës, por i përkasin të tjerëve, të kujtdo qofshin”.

Si një artist dhe ish-lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, dhe mik me Tony Blair, Rama ka ndërtuar një reputacion jashtë vendit si një pragmatist i qendrës së majtë dhe ka qenë subjekt i profileve të hijshme në median perëndimore.

Por,  kritikët e kanë akuzuar atë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të veçuar politikën nga kontrolli i oligarkëve,  dhe për denigrimin e punës së gazetarëve në një vend ku këta të fundit përballen me kërcënime serioze për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas një raport  të OJQ-së së Reporterëve pa Kufij dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese të publikuar,  javën e kaluar, denigrimi i medias shpesh, shfaqej në retorikën e Ramës.

Rama e mohoi faktin se ai i kishte quajtur gazetarët “kazanë” dhe “armiq publikë” midis shumë fyerjeve të tjera, gjatë një konference për shtyp,  tetorin e kaluar.

Ai tha se kishte qenë kritik vetëm ndaj punës së disa mediave.

“Ajo që unë përdor në përgjithësi …ne kemi një fjalë turke që është shumë e përshtatshme sipas mendimit tim … është versioni shqiptar i” lajmit të rremë ” (Fake News), që do të thotë “Mbeturina “, tha ai. //p.s/ a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKokaina në Durrës, Basha dhe Berisha të thirren në prokurori
Artikulli tjetërVijon angazhimi dhe gatishmëria e ekzekutivit për situatën në Shkodër