Ballina Lajme nga Vendi

Vijon angazhimi dhe gatishmëria e ekzekutivit për situatën në Shkodër

TIRANË, 21 Mars/ATSH/- Pas mbledhjes në Tiranë të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për të intensifikuar përpjekjet ekzistuese për menaxhimin e përmbytjeve në Qarkun Shkodër, ZëvendësKryeministrja Mesi rikthehet në Shkodër me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,  Niko Peleshi dhe ZëvendësMinistrin e Mbrojtjes Petro Koçi.

Nga terreni në Njësinë Administrative Dajç dhe Ana e Malit, ata komunikuan me forcat e armatosura, të Policisë së Shtetit dhe Emergjencave Civile për të siguruar që situata është nën kontroll dhe se janë marrë të gjitha masat për evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë sipas nevojës.

ZëvendësKryeministrja Mesi u shpreh se “do të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për banorët dhe uji të pijshëm. Gjithashtu do të sigurojmë furnizimin shtesë me bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Krahas shtimit të forcave në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve janë siguruar edhe 8 milion lek nga KESH, shumë që do të shkojë për ndihma për banorët.”

ZëvendësKryeministrja falenderoi të gjithë aktorët që janë përfshirë në menaxhimin e situatës dhe theksoi që nevojitet intensifikim i bashkërendimit të masave dhe bashkëpunim mes pushtetit vendor dhe komunitetit për të përballuar situatën.

Ndërkohë Ministri Peleshi u shpreh se “s’ka nevojë për të spekuluar me shpalljen ose jo të gjendjes së emergjencës. Qeveria është vigjilente për nevojat e banorëve dhe baza ushqimore për kafshët është siguruar dhe do të shtohet deri sa të plotësohen nevojat në bashkëpunim me biznesin dhe donacion nga KESH”.

Ministri Peleshi theksoi se pika e dytë kritike janë argjinaturat që po mbahen nën vëzhgim nga drejtoria e kullimit: argjinaturat në Luarëz dhe Pentar janë nën mbikqyrje dhe po punohet për të bërë një planifikim për parandalim. Ndërkohë sasi me inerte janë duke u vendosur në pikat kritike për të eleminuar situata me dëme në njerëz e kafshë.

Më herët ZëvendësKryeministrja Mesi, Ministri Peleshi dhe ZëvendësMinistri i Mbrojtjes Koçi u takuan me Prefektin e Qarkut Shkodër Z. Çesk Millja në zyrën e tij si edhe me Drejtorin e Policisë në Shkodër,  për bashkërendim të situatës. Në takim u theksua që situata është përballuar nga qeveria qendrore dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri, në këtë moment e rëndësishme është kapërcimi i situatës dhe në fazën e rikuperimit do bëhen vlerësimet e dëmeve dhe të pasojave./e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama për POLITICO: KE, raport pozitiv për integrimin e Shqipërisë
Artikulli tjetërSLLOVAKI – Presidenti dekreton qeverinë e re