TIRANË, 21 Mars/ATSH/-21 Marsi njihet ndryshe si Dita Botërore e Sindromës Down. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka dhënë mesazhin e saj për këtë ditë.
“Mesazhi i ditës nga Miço dhe shokët e tij . “Miqtë e vërtetë nuk numërojnë kromozome”, shkruan Nikolla në postimin e saj në rrjetin social “Facebook”, ndërkohë që këtë të fundit e shoqëron me një sërë fotosh.
Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 Mars si Ditën Botërore të Sindromës Down. Kjo Asamble vendosi që nga viti 2012, të organizojë Ditën Botërore të Sindromës Down, në 21 mars të çdo viti dhe fton të gjitha Shtetet Anëtare, organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe shoqërinë civile duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare dhe sektorin privat, për të organizuar Ditën Botërore të Sindromës Down me qëllim për të rritur sa më shumë ndërgjegjësimin publik. /a.g/



























