TIRANË, 21 Mars/ATSH/.- “Me projektligjin ‘Për diasporën’, shteti shqiptar do të shkëputet nga marrëdhëniet formale të trajtimit të Diasporës si një faktor i jashtëm”, tha të mërkurën, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
Gjatë prezantimit të projektligjit “Për diasporën”, në komisionin për Politikën e Jashtme, Majko e cilësoi projektligjin “një moment evolutiv”.
Përpara fillimit të mbledhjes, kryetarja e Komisionit Mimi Kodheli tha se, “ligji vjen si një garanci e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, për promovimin e pjesëmarrjes së tyre më aktive në jetën e vendit të origjinës.
Në fjalën e tij, ministri për Diasporën, Pandeli Majko tha se, “ky ligj kuadër përfshin të gjitha problematikat dhe institucionet e interesuara që mbulojnë këtë fushë marrëdhëniesh nga ana e politikës shtetërore”.
Në këtë kontekst, Majko u shpreh se ligji mbështetet në kërkesat imediate për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve”.
“Projektligji gjen mbështetje në nenin 8, të Kushtetutës, i cili parashikon se Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”, tha Majko.
Gjithashtu, sipas tij, “projektligji është në harmoni dhe në frymën e standardeve ndërkombëtare të konsoliduar në një sërë aktesh, të tillë si, Karta e OKB-së, 2 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Në raport me legjislacionin e zakonshëm, sipas Ministrit, projektligji nuk krijon përplasje, pasi legjislacioni aktual ndjek të njëjtën frymë, por, në të njëjtën kohë, ky legjislacion dëshmon pamjaftueshmërinë për adresimin e plotë të nevojave të diasporës”.
/m.m/ /a.g/























