Ballina Bota

STOKHOLM – Suedia thërret ambasadorin rus pas akuzave për gazin nervor

STOKHOLM, 19 mars /ATSH-AFP/ – Ministria suedeze e Punëve të Jashtme njoftoi sot se ka thërritur ambasadorin e Rusisë, pasi Moska ngriti dyshime se shteti nordik mund të kishte prodhuar armën kimike, që u përdor më 4 mars ndaj një ish-agjenti të dyfishtë, i cili ishte i strehuar në Britaninë e Madhe.

Zëdhënësi i ministrisë, Per Enerud i pyetur nga mediat suedeze e konfirmoi këtë lajm.

Ditën e shtunë, autoritetet ruse, të cilat thanë se nuk e kishin prodhuar kurrë këtë agjent nervor, pas vënies nën akuzë për helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin anglez të Salisbury, kishin cituar edhe Suedinë që, sipas tyre, kanë mundur ta prodhojnë këtë armë.

‘’Burimi më i mundshëm i këtij sulmi kimik janë shtetet që, që prej fundit të viteve ’90 dhe aktualisht, kryejnë kërkime intensive për substancat e projektit ‘Noviçok”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zaharova.

‘’Këto shtete janë Britania e Madhe, Sllovakia, Republika Çeke dhe Suedia. Në lidhje me SHBA-në duhet gjithashtu t’i drejtohet kjo pyetje’’, shtoi ajo.

Ministrja suedeze e Punëve të Jashtme, Margot Wallstrom reagoi në mënyrë të menjëhershme.

”Suedia hedh poshtë kategorikisht deklaratat e papranueshme dhe të pabazuara të zëdhënëses ruse të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas së cilës agjenti nervor i përdorur në Salisbury mund të kishte ardhur nga Suedia”, shkruan ajo në Twitter.

”Rusia duhet fillimisht t’i japë përgjigje pyetjeve të Britanisë së Madhe’’, shtoi ajo.

Autoritetet çeke dhe sllovake hodhën poshtë gjithashtu këto akuza./ /v.b/  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSituata e përmbytjeve në Shkodër, FA në gatishmëri për të ndihmuar banorët
Artikulli tjetërSHBA – Altmaier: BE dhe SHBA drejt zgjidhjes për taksat e metaleve