TIRANË, 17 Mars/ATSH/.- “Projekti europian, pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin e Ballkanit, është një punë e papërfunduar”.
Kështu deklaroi të shtunën presidenti Ilir Meta, i cili ishte folësi kryesor në Panelin e veçantë dedikuar Ballkanit në Forumin e 6-të Global të Baku-së me temë: “E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit – bosht i sigurisë rajonale apo një fushë e re shahu gjeopolitik”.
Në fjalën e tij, Meta theksoi se projekti ynë i përbashkët, pavarësisht ndasive dhe konflikteve të së kaluarës, është integrimi në Bashkimin Europian.
“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë”, nënvizoi Presidenti.
Sipas tij, “paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë”. “Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të mëdha”, tha ai.
Meta u ndal edhe në projektin madhor TAP, duke theksuar se “realizimi i gazsjellësit TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por edhe me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe të sigurisë energjetike të vetë BE-së”.
Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Presidenti Meta, nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si, Mali i Zi dhe potencialisht Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide e të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.
Presidenti Meta nënvizoi në fjalën e tij se, “fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar”. Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona”, theksoi Meta.
Lidhur me zhvillimin e rajonit, Meta vlerësoi se Ballkani ka qënë ndër shekuj dhe do të jetë “nyjë lidhëse” e Lindjes me Perëndimin, duke shtuar se, ne inkurajojmë dhe mirëpresim investime nga të gjitha fuqitë emergjente ekonomike. “Natyrisht ato nuk mund të përplasen me axhendën tonë të përbashkët Euro-Atlantike dhe me aspiratat demokratike të qytetarëve tanë”, shtoi ai.
“Në kohën e globalizimit, suksesi i ekonomive tona do të garantohet kur tregjet rajonale të integrohen shpejt dhe kur investimet e huaja nuk njohin kufij dhe barriera artificiale. Në kushtet e një tregu ballkanik dhjetra milionësh konsumatorë, nuk duhet të humbasin energji për tu përplasur me njëri-tjetrin, duke fragmentizuar tregun dhe duke dobësuar ekonomitë tona. Konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin, apo brenda rajonit tonë, por me kohën dhe sfidat e globalizimit”, theksoi Presidenti.
Ai shprehu gjithashtu bindjen se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona. Sipas Presidentit “destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE”.
“Strategjia e re e zgjerimit e BE-së duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, apo vakum, do të plotësohet nga faktorët e tjerë, të cilët do të përpiqen të shfrytëzojnë frustrimin e njerëzve”, tha Presidenti./m.m/ /a.g/























