TIRANË, 15 Mars/ATSH/ – Për t’i ardhur në ndihmë nxënësve me aftësi të kufizuar nëpër shkolla, ministria e arsimit do të dyfishojë numrin e mësuesve ndihmës duke e çuar në 620 këtë vit, nga 310 që janë aktualisht.
Kjo deklaratë u bë nga vetë ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë seancës së sotme parlmentare, ndërsa theksoi që brenda mandatit qeverisës, ky numër do të rritet akoma më shumë.
“Është kjo qeveri që futi për herë të parë konceptin e mësuesit ndihmës që këtë vit numri shkon në 620, numër që do të rritet brenda këtij mandati për t’i mundësuar çdo personi me aftësi të kufizuar ndihmën e mësuesit përkatës”, theksoi Nikolla.
Ku qëndron puna e mësuesit ndihmës?
Detyra kryesore e mësuesit ndihmës është mësimi i nxënësit me aftësi të kufizuara si në nivel individual, ashtu edhe në grupe të vogla, në bashkëpunim me mësues të tjerë të shkollës.
Këtë detyrë ai e zbaton jo vetëm duke u përfshirë në mësimdhënie, në bashkëpunim me mësuesin e klasës apo lëndës dhe duke qëndruar me nxënësit me aftësi të kufizuara në orë të veçanta ku ata kanë më shumë nevojë për ndihmë, por edhe duke dhënë ndihmë specifike edhe në fusha të tjera të nevojshme për nxënësit me aftësi të kufizuara, siç janë aftësitë sociale dhe aftësitë për jetën./z.t//r.e/























