ROMË, 5 mars /ATSH-AFP/ – Shumë personalitete të politikës italiane, të cilët u ndëshkuan me votë, edhe pse shumica e tyre ishin në krye të listave në sistemin proporcional, pritet gjithsesi të marrin një mandat parlamentar.
Ligji zgjedhor italian parashikon në fakt zgjedhjen e një të tretën e deputetëve dhe senatorëve në sistemin mazhoritar me një raund dhe kandidati që siguron më shumë vota në zonën e tij zgjedhore shpallet fitues.
Vendet e tjera janë ndarë sipas sistemit proporcional brenda listave të paraqitura nga partitë apo koalicionet në zona e mëdha zgjedhore. Për të siguruar zgjedhjen e kandidatëve me influencë, një parti mund të prezantojë të njëjtin person në pesë lista.
Pa u paragjykuar nga zgjedhjet me sistem proporcional, shumë personalitete me influencë u fshinë në zonat e tyre zgjedhore.
Ky është rasti i Pietro Grasso, kryetari në ikje i Senatit dhe kreu i grupimit të majtë “Të Lirë dhe të Barabartë (LEU)”, në njësinë e tij administrative të Palermos (Siçili), ky ish-gjyqtar i anti-mafias i njohur dhe i respektuar në Itali, mundi të marrë vetëm 5,8% të votave.
Kryetarja e mëparshme e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini edhe ajo kandidate e LEU pati të njëjtin fat në Milano, pasi u bë objekt i sulmeve mjaft të ashpra nga ana e ekstremit të djathtë, dhe mundi të fitojë vetëm 5,8% të votave.
I njëjti rezultat zhgënjyes për një tjetër personalitet me ndikim i LEU, Massimo D’Alema, ish-kryeministri i vendit, i cili mundi të fitojë vetëm 3,9 % të votave në bastionin e tij në zonën e Pulias (jug).
Disa anëtarë të qeverisë së Paolo Gentiloni humbën gjithashtu në njësitë e tyre administrative.
Ministri i Brendshëm, Marco Minniti fitoi pikë pasi ia doli të frenojë fluksin e migrantëve drejt Italisë në sajë të një marrëveshjeje të diskutueshme me autoritetet dhe milicitë libiane, duke u pozicionuar i treti me një rezultat të kënaqshëm prej 27,7%.
Të njëtin fat patën edhe ministrja e Mbrojtjes, Roberta Pinotti, apo ministri i Kulturës, Dario Franceschini.
Kreu i qeverisë në ikje, Paolo Gentiloni, fitoi nga ana tjetër lehtësisht në zonën e tij në Romë me një rezultat prej 42%.
Ministri i Financave, Pier Carlo Padoan u zgjodh gjithashtu me më shumë se 36% të votave në rajonin e Sienës, në Toskana.
Matteo Renzi, kreu i Partisë Demokratike, (PD, qendra e majtë) i konsideruar si përgjegjës i humbjes së partisë së tij rifitoi bindshëm në bastionin e tij në Firence me rreth 44% të votave.
Por ky rezultat është ende larg nga ai i Luigi Di Maio, kreut të Lëvizjes 5 Yjet (anti-sistem) i cili fitoi më shumë se 60% të votave në zonën e tij pranë Napolit./
/v.b/






















