TIRANË, 5 Mars /ATSH- I. Vata/ – Ekonomia shqiptare është drejt kolapsit për shkak të përhapjen e drogës në Shqipëri dhe futjen e parës së krimit.
Kështu deklaroi sot Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në seancën e sotme në kuvendin e Shqipërisë.
Duke iu referuar dinamikës së ngjarjes në Durrës, Basha thotë se “Cilat janë faktet? Me 28 shkurt u arrestuan në Maminas një shofer dhe një hamall që po transportonin një kontenier me banane nga Kolumbia, ku në dyshemenë e së cilit u gjendën 623 kg kokainë me vlerë 180 milion euro”.
Sipas, Bashës parat e drogës po shkatërrojnë ekonomin shqiptare. ” Cili sipërmarrës i ndershëm mund të konkurojë me industrinë drogës?! Prandaj ekonomia është në rrezik sepse parat e drogës kanë kapur ekonomin, duke filluar me ndërtimin në Tiranë dhe kthyer Bashkinë Tiranës në një lavatriçe të parave të drogës”, tha ai.
Ekonomia është në kolaps, tha Basha duke vijuar se dje shifrat e fundit tregojnë se numri i bizneseve të mbyllura në periudhën, Janar-Shkurt është rritur me 50%, krahasuar me një vit më parë.
“Shifrat tregojnë falimentim masiv të biznesit, tregojnë mbyllje dhe largim të sipërmarrjes. Shifra prej 2786 biznesesh që kanë kaluar pasiv, tregon qartë se ç’po ndodh me ekonominë. Natyrisht një ekonomi në kolaps nuk mund të prodhojë gjë tjetër vetëm varfëri. Dhe raporti i Bankës Botërore i dalë dje, thotë qartë se 70% e familjeve më të varfra në Shqipëri janë përjashtuar nga ndihma ekonomike” tha Basha./e.caushi/























