TIRANË, 16 korrik /ATSH – I. Vata/ – “87% e turistëve janë të kënaqur me përvojën në Shqipëri dhe 94% e tyre kanë thënë se me kënaqësi, do ta rekomandonin Shqipërinë”, – u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama duke iu referuar një anketimi nga turistë të huaj tha se duke ndarë një shifër konkrete për ta kuptuar mbase dhe në formë aktuale që të gjitha këto nuk janë fjalë në përgjithësi, që kjo nismë nuk është thjesht e bukur në dukje. “Dua t’ju them se nga një anketim që ne bëmë vitin e shkuar me turistët e huaj dhe me ndihmën e grupit të “Smile Albania” po ashtu, por edhe në rrugë të tjera, 87% e tyre janë shprehur të kënaqur me përvojën në Shqipëri dhe 93% e tyre kanë thënë se me kënaqësi do ta rekomandonin Shqipërinë”, – tha ai.
Kryeministri vuri theksin te 7% që nuk rekomandon Shqipërinë, duke e cilësuar si një problem real.
“Nuk është pak, është shumë, por kini parasysh që nëse marrim anën tjetër të medaljes, ai 7% që nuk do ta rekomandonte Shqipërinë më, nuk janë pak, sepse po të kemi parasysh se fjala e keqe përhapet shumë më shpejt dhe ka më shumë efekt sesa fjala e mirë, atëherë na duhet të bëjmë çmos që të gjithë, e këtë nuk ua them juve, këtë ia drejtoj gjithë shoqërisë, këtë ia drejtoj çdo qytetari shqiptar që vihet në kontakt me një të huaj, këtë ia drejtoj çdo strukture mikpritjeje, çdo kamerieri, çdo menaxheri që ta ketë parasysh, sepse është shumë më tepër sesa një klient, është shumë më tepër sesa një kalimtar një turist që merr një mbresë negative. Është një zëdhënës i fjalës së keqe në një rreth shumë më të madh njerëzish sesa një njeri i vetëm, e lëre më pastaj një grup turistësh që vijnë nëpërmjet një agjencie e që i shprehin pakënaqësi agjencisë për një arsye apo një tjetër”, -tha Rama.
Me tej Rama shton se “dëmi është kolosal dhe po të kemi parasysh se çfarë bëjnë vendet e tjera”.
Gjithashtu, Kryeministri sjell si shembull Korsikën, duke e konsideruar shembull të unitetit në raport me turistët e huaj.
“Korsika është një nga shembujt më fantastikë të unitetit të popullit, në kuptimin më brutal të kësaj fjale në raport me turistët e huaj. Është e shenjtë marrëdhënia dhe është një mirëkuptim në unitet të plotë i të gjithë korsikanëve, që nga i pari, deri tek i fundit, që nga ai që të pret tek check-in i aeroportit për të vënë vulën, e deri tek i fundit fare që mund të qëllojë në kontakt me ndonjë të huaj”, – tha ai.
Më tej Rama shton se “është krenaria për Korsikën, është dhe nevoja për ta bërë çdo vizitor të kënaqur, e nëse i referohemi traditës sonë, nëse i referohemi asaj për të cilën ne gjithmonë flasim me krenari që është mikpritja jonë, këtë gjë duhet secili ta ketë parasysh kur komunikon për çfarëdo arsye me një turist të huaj, sepse një turist me një përshtypje pozitive është një zëdhënës shumë i rëndësishëm, por një turist me një përshtypje negative është shumë herë më i rëndësishëm në kuptimin e dëmit që mund t’i sjellë vendit”. /j.p/






















