Ballina Bota

FOKUS – Macron: BE të kthejë vëmendjen drejt Ballkanit Perëndimor

PARIS, 10 dhjetor /ATSH/ – Bashkimi Evropian duhet të riangazhohet në Ballkan, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas gazetës më të madhe franceze ”Le Monde”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron zbuloi, në një konferencë për shtyp, programin e tij për presidencën franceze të radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili do të fillojë më 1 janar për një periudhë gjashtëmujore.

”Përballë tensioneve të reja në Ballkan, bëj thirrje për një riangazhim dhe riinvestim të BE-së”, deklaroi Macron.

“Historia është kthyer atje, ndonjëherë edhe tragjike”, theksoi ai.

“Ne kemi një përgjegjësi shumë të veçantë sot në lidhje me Ballkanin Perëndimor, për të promovuar integrimin ekonomik të këtij rajoni dhe për të luftuar kundër ndërhyrjeve (…) nga disa fuqi rajonale”, shtoi Macron duke synuar në mënyrë implicite Turqinë dhe Rusinë.

“Ne nuk mund të ndërtojmë një Evropë paqeje për 50 vitet e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën ndodhet sot”, paralajmëroi ai.

Emmanuel Macron bëri thirrje për qartësimin e perspektivës evropiane të këtyre vendeve – Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës – të bllokuara prej vitesh në paradhomën e Bashkimit.

Kreu francez i shtetit njoftoi edhe të hënën e kaluar se prioritetet e presidencës franceze do të përqendroheshin në tri fjalë: “rifillim, pushtet dhe përkatësi”./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSfidat e Prokurimit Publik, roli i KPP dhe mbrojtja ligjore para gjykatës
Artikulli tjetërBriken Calja medalje ari në shkëputje dhe dy të argjendta