Ballina Ekonomi

Sfidat e Prokurimit Publik, roli i KPP dhe mbrojtja ligjore para gjykatës

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Komisioni i Prokurimit Publik në bashkëpunim me SIGMA-OECD dhe me Gjykatën Administrative të Apelit organizuan sot seminarin e parë mbi sfidat e sistemit të prokurimit publik në Shqipëri, rolin e Komisionit të Prokurimit Publik dhe mbrojtjen ligjore para gjykatës administrative.

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Antikorrupsion.

Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri tha se korrupsioni është një kancer, që ha besimin e qytetarëve në demokraci dhe pakëson instiktin për inovacion dhe kreativitet.

“Ne jemi të vetëdijshëm për rolin e institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik në zinxhirin e prokurimit. Megjithëse një institucion i vogël në staf dhe infrastrukture, Komisioni i Prokurimit Publik mban një peshë të madhe në sistem. Në këtë drejtim, KPP ka bërë gjithçka ka mundur, në luftën antikorrupsion apo edhe atë të forcimit të besimit të publikut në procedurat e prokurimit publik. Për këtë qëllim, reforma jonë është mbështetur në tri shtylla kryesore, të cilat janë: forcimi i kapacitetit të stafit, rritja e transparencës dhe digjitalizimit të shërbimeve, si edhe vendosja e një standardi të ri të komunikimit”, deklaroi Myzyri.

Më tej, gjatë fjalës së tij kreu i KPP, Myzyri theksoi se ky nuk ka qenë aktiviteti i vetëm, por në 15 muaj, kemi arritur që së bashku me SIGMA-OECD të organizojmë mbi 10 seminare dhe workshop-e trajnimi të dedikuara për stafin e Komisionit të Prokurimit Publik.

“Pas një pune intensive 15 mujore, të gjitha ankesat për procedurat e prokurimit publik, prokurimit publik për rindërtim, koncesioneve dhe partneritetit publik privat, ankandeve publike dhe garave konkurruese për leje minerare, do të dorëzohen në formë elektronike, përmes platformës unike qeveritare e-Albania. Të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj, do të kenë mundësi të dorëzojnë elektronikisht ankesat dhe argumentet e tyre si dy shërbime të veçuara, duke shmangur çdo kosto shtesë si dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me çdo zyrë shteti, përfshirë dhe Komisionin e Prokurimit Publik. Sistemi mundëson edhe nënshkrimin elektronik, duke shmangur nevojën e printimit të dokumenteve voluminoze dhe nënshkrimit të akteve me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit”, tha Myzyri.

Ndërsa gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Ardian Dvorani në fjalën e tij përgëzoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet SIGMA-OECD dhe KPP, të cilët sipas tij, jo vetëm duhet të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen, por duhet dhe të organizojnë seminare konkrete me praktika gjyqësore.

Sipas tij, një nga objektivat e prokurimit publik duhet të jetë garantimi i interesit publik nga ana e autoriteteve kontraktore dhe gjykatave.

“Vendimmarrja përfundimtare e Komisionit të Prokurimit Publik mund të motivohet edhe me vendimet e Gjykatës për të kuptuar që sistemi është një. Kjo sjell që precedentët të kenë në rol të veçantë në vendimmarrje”, deklaroi Dvorani.

Dvorani propozoi edhe mundësinë për hartimin e amendamenteve në ligjin për Prokurimin Publik dhe ligjin për Gjykatat Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative në drejtim të procedurës së shqyrtimit nga gjykata në dhomë këshillimi dhe vetëm në rastet kur shihet e nevojshme të gjykohet në seancë gjyqësore me praninë e palëve. Kjo, sipas tij, shoqëruar me përcaktimin e një afati të shkurtër ligjor ndaj gjykatës për tu shprehur do të nxiste shpejtësinë e vendimmarrjes dhe do të jepte ndikim në procesin e Prokurimeve publike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama promovon restorantin shkodran: Oaz tradite e kuzhine mjeshtërore
Artikulli tjetërFOKUS – Macron: BE të kthejë vëmendjen drejt Ballkanit Perëndimor