TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi dhe Sekretari për Digjitalizimin, Etjen Xhafaj, zhvilluan gjatë ditës së sotme një mbledhje me kryetarët e partisë të të 61 bashkive të vendit.
Fokusi kryesor i këtij takimi ishte ecuria e procesit të analizës paszgjedhore, si dhe procesi i regjistrit të anëtarësisë.
Gjatë fjalës së tij pas përfundimit të takimit, Gjiknuri u shpreh se “patëm rastin të mbledhim të gjithë drejtuesit e Partisë Socialiste në të gjitha bashkitë”.
“Ishte një analizë në lidhje me ecurinë e procesit të analizës postzgjedhore dhe njëkohësisht edhe ecurisë së procesit të regjistrimit të anëtarësisë. Është një analizë e nevojshme pasi Partia Socialiste ka hyrë në një fazë intensive të ristrukturimit, që do të thotë përgatitja e partisë ndërmjet periudhave zgjedhore për të qenë gati në çdo moment”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi gjithashtu se përfundimi i këtij procesi do të konkludojë me përgatitjen e një platforme të mirëfilltë elektorale organizimi, që Partia Socialiste të konsolidohet më tej si forca më e organizuar politike.
“Eksperiencat e krijuara në zgjedhjet e fundit dhe përmirësimet e nevojshme që do të dalin nga procesi i analizës do i konkludojmë me përgatitjen e një platforme të mirëfilltë elektorale organizimi, që Partinë Socialiste ta konsolidojmë si forcën më të organizuar politike. Gjithmonë për të çuar përpara interesat e publikut shqiptar. Frytet e këtij takimi besoj se do reflektojnë në qasjen strategjike të Partisë Socialiste. Sekretari Digjital dhe Sekretari Organizativ janë dy komponentët e nevojshëm për ta bërë shumë efektiv organizimin e Partisë Socialiste”, përfundoi Gjiknuri.
Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes u shpreh se rikthimi i forcës tek partia dhe organizimi struktural i partisë është fokusi kryesor. Sipas tij, “partia duhet të jetë aktive dhe jashtë proceseve zgjedhore”.
Etjen Xhafaj, Sekretari për Digjitalizimin e vuri theksin tek rëndësia ë një regjistri digjital të të gjithë anëtarësisë efektive. Pasja e këtij regjistri do të lehtësoj dhe komunikimin e strukturave me njëra-tjetrën, por edhe të drejtuesve të Partisë Socialiste me bazën.
/m.m/a.a/r.e/












