Borxhi publik do t’i kthehet trajektores rënëse

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Qeveria shqiptare planifikon të ulë me 1 pikë përqindje nivelin e borxhit publik në vitin 2022.

“Borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse duke filluar që nga 2022, në përputhje me rregullin fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.9 % të PBB nga rreth 80 % i pritshëm për këtë vit”, bëri të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit në Kuvend të projektbuxhetit për vitin 2022.

Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 74.9 % në vitin 2025 dhe më tej në rreth 67.9 % në vitin 2028.

Në relacionin e pr/buxhetit, huamarrja e brendshme planifikohet të jetë ndjeshëm më e lartë se huamarrja e huaj.

“Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si edhe deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2022, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 1 pikë përqindje. Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të denominuar në valutë vendase në krahasim me nivelin e pritshëm të fundit të vitit 2021, duke qenë se huamarrja e brendshme planifikohet të jetë ndjeshëm më e lartë se huamarrja e huaj”, thuhet në relacionin e pr/buxhetit, i cili mbërriti sot në Kuvend për shqyrtim.

Sipas relacionit, kostot për njësi të borxhit të brendshëm dhe atij të huaj pritet të qëndrojnë pothuajse në nivele të krahasueshme me normat aktuale.

“Duke marrë në konsideratë vijimin e politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të titujve shtetërorë në tregun e brendshëm pritet të jenë të qëndrueshme dhe në nivele të krahasueshme me normat aktuale. Për sa i përket tendencës së normave të interesit në tregjet e huaja, në kushtet ku Rezerva Federale dhe BQE, do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare lehtësuese, vlerësohet se do të ketë qëndrueshmëri të normave të interesit edhe përgjatë vitit 2022”, thuhet në relacion.

Ndërkohë për sa i përket shpenzimeve për interesa të borxhit, gjatë vitit 2022 parashikohet një rritje e tyre me rreth 20 %, kryesisht për shkak të rritjes së konsiderueshme të stokut të borxhit në vlerë nominale gjatë vitit 2021.

Në fund të muajit qershor 2021, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 1,273.3 miliardë lekë ose 75.7 % e PBB. Në terma nominal, stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është rritur më rreth 49.3 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2020, nga të cilat 39.9 miliardë lekë i përkasin borxhit të brendshëm dhe 9.4 miliardë lekë borxhit të jashtëm.

Borxhi i qeverisjes qendrore pritet të vijojë të rritet deri në fund të vitit 2021 si rrjedhojë e emetimit të Eurobondit që parashikohet në nëntor si dhe me disbursimin e disa mbështetjeve buxhetore që janë në proces, ku mendohet se niveli i borxhit kundrejt PBB në fund të vitit të arrijë në nivelin 80 %.

Rritja e borxhit publik u diktua nga nevoja buxhetore për menaxhimin e situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.