TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Për të mbështetur dhe nxitur nxënësit ekselentë, bashkia Kamzë për herë të parë ofron bursa financiare për 378 nxënës ekselentë në shenjë motivimi për vazhdimësi rezultatesh të mira në shkollë nga ana e tyre.
Kryetari i bashkisë, Rakip Suli bën të ditur se “bashkia nuk kursen asgjë kur bëhet fjalë për më të mirët”.
“Si bashki kemi vendosur bursa ekselence këtë vit. Kush del me 10-ta, do të ketë edhe një bursë nga ana jonë. Jo se besojmë që 10-tat duhen shpërblyer patjetër me para, por është një mënyrë për të thënë që pavarësisht vështirësive, do sillemi si çdo familje tipike shqiptare, që kur vjen puna te fëmijët, apo te më të mirët, nuk kursen asgjë”, u shpreh Suli.
“Nxënësit ndihen të motivuar dhe falënderues jo vetëm për bursat por edhe për punën kolosale që është bërë këto dy vite për arsimin në Kamzë, me shkollat e reja, kopshtet, çerdhet dhe mbështetjen e vazhdueshme nga ana e bashkisë për ta”, tha Suli.
Kryebashkiaku Suli thekson se “me arsim zhvillohen brezat, zhvillohet e ardhmja, zhvillohen elitat drejtuese të së ardhmes që duhen mbështetur gjithmonë dhe kjo është garancia që ne japim për ta”.
/k.s/j.p/r.e/












